Inxhinieri tunizian Boubaker Siala ka zhvilluar me fondet e tij një automjet elektrik të lehtë komercial miqësor ndaj mjedisit, të quajtur “Bako B10”.
Siala ka prodhuar një automjet miqësor me mjedisin me një motor elektrik të pajisur me panele diellore, transmeton Telegrafi.
Pas përfundimit të studimeve pasuniversitare në Ukrainë dhe Gjermani, Siala, i cili punoi me prodhuesit kryesorë të veturave në botë, donte që pas kthimit të ishte i dobishëm për vendin e tij me përvojën e fituar jashtë vendit.
“Gjatë periudhës së karantinës për shkak të COVID-19, unë dhe djali im Ibrahimi shpesh lëviznim me biçikletë elektrike. Në këtë proces, prodhova vetë një biçikletë elektrike. Pikërisht atëherë fillova të punoja për zhvillimin e një automjeti elektrik, ndonëse të vogël”, tha Siala.
Ky mjet mund të mbajë një ngarkesë prej 300 kilogramësh.
“Veturën time e kam quajtur Bako, e frymëzuar nga emri “bako”, që në gjuhën tuniziane do të thotë – kuti ose çantë”, shpjegoi Siala.
Inxhinieri tunizian tha se automjetet e tij janë aktualisht në treg për 12,000 dinarë tunizian (4,000 dollarë).
Siala tha se ata u përballën me shumë pengesa gjatë patentimit të automjetit, por përfundimisht ia dolën me gjithë vështirësitë burokratike.
“Mjeti që prodhojmë është një automjet me standarde të larta cilësore. Prandaj, ne besojmë se do të jetë e kërkuar në shumë vende, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin”, tha Siala.
Edhe pse tregu i automjeteve elektrike është një treg sfidues, ai beson se janë në avantazh, sepse mund të bëjnë ndryshime në automjet në përputhje me kërkesat.
Duke pretenduar se automjetet që përdorin lëndë djegëse fosile, të cilat shkaktojnë një rritje të ngrohjes globale në botë, do të tërhiqen nga tregu në periudhën e ardhshme, Siala tha: “Automjetet që punojnë me lëndë djegëse fosile, të cilat janë një nga shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes. , po zëvendësohen nga ato të rinovueshme dhe miqësore me mjedisin”.