Telegrafi

Inxhinierët gjejnë mbetjet e trupave të viktimave dhe mbeturinat e nëndetëses Titan, i nxorën nga shtrati i detit dhe i dërguan në portin amerikan

Inxhinierët gjetën mbetjet e trupave të viktimave dhe mbeturinat nga nëndetësja “Titan”, e cila shpërtheu në qershor gjatë një turneu turistik në afërsi të rrënojave të Titanikut në Oqeanin Atlantik, kur të pesë pasagjerët vdiqën, njoftoi Roja Bregdetare e SHBA.

Zyrtarët e Rojës Bregdetare të SHBA-së njoftuan të martën, se pjesë të nëndetëses Titan u nxorën nga shtrati i detit javën e kaluar dhe u dërguan në një port të SHBA-së.

Sipas raportimeve, zyrtarët mjekësorë do të analizojnë mbetjet njerëzore, transmeton Telegrafi.

Nëndetësja “Titan” shpërtheu më 18 qershor gjatë një ekspedite vëzhgimi turistik tek rrënojat e Titanikut në Atlantik, në brigjet e Newfoundland, Kanada.

Katër turistë dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë “OceanGate” që komandonte me nëndetësen, humbën jetën.

Kompania “OceanGate” organizonte udhëtime me nëndetëse në lokacione të ndryshme në mbarë botën, dhe pas kësaj katastrofe ndaloi të gjitha operacionet. /Telegrafi/