Telegrafi

Investohet në trashëgiminë kulturore në Gjirokastër

Investimet qendrën historike të Gjirokastrës po vazhdojnë. Ky ka qenë thelbi i konferencës së organizuar dje në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, njofton “Gazeta Shqiptare”.

Shifrat e investimeve dhe objektet ku po ndërhyhet kanë qenë të njëjta me ato të theksuara në shumë raste të tjera kur është folur për Gjirokastrën.

Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në MTKRS, Ols Lafe është shprehur se “fondi prej 1.3 milionë USD i qeverisë shqiptare, i akorduar UNESCO-s me destinacion restaurimin e objekteve monument kulture në qendrën historike të Gjirokastrës, është duke u lëvruar.

Zona e Qafës së Pazarit dhe banesa të tjera si Angonatet, Kabilatet, Gurgaj, etj janë në restaurim e sipër”. Nuk kanë mbetur pa përmendur shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare, e Babaramos, Çabejt, si dhe Hani i Zagorisë.