Telegrafi

Investitori nuk ka pasur leje ndërtimi ku u mbyt 13-vjeçarja në Ilinden

“Investitori i objektit në Komunën e Ilindenit ku dje u mbyt 13-vjeçarja nuk ka pasur leje për ndërtim”, deklaroi për NOVA TV, Kryetari i Ilindenit, Zhika Stojanovski.

Stojanovski thotë se inspektorë e Komunës kanë bërë këqyrjen e vendit, ku investitori ka filluar me aktivitet përgatitore dhe kanë konstatuar se nuk janë respektuar kushtet elementare për ndërtim.

“Shprehim ngushëllime për aksidentin e ndodhur. Si Komunë presim nga të gjitha firmat e ndërtimtarisë ta dinë dhe ta respektojnë procedurën në pajtim me Ligjin për ndërtim dhe ligjet tjera. Në këtë rast inspektorët kanë konstatuar se nuk janë respektuar kushtet elementare për ndërtim,” tha Stojanovski.

Sot investitori me gardhe të drurit e ka mbuluar vendin ku dje 13-vjeçarja u rrëzua dhe u mbyt te uji i mbledhur, sipas Stojanovskit, investitori ka pas dëshirë që në atë vend të ndërtoj banesa, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Të gjitha të dhënat për investitorin dhe për lëshimet e bëra do të dërgohen në Prokurori. Nga atje sot kumtua se është dhënë urdhër për testimin e trupit të 13-vjeçares dhe për marrjen e më shumë të dhënave rreth ngjarjes.

Qytetarët e Komunës së Ilindenit kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e vajzës dhe pyesin “A mundej të parandalohej tragjedia e ndodhur”.

Sipas deklaratave të qytetarëve të Ilindenit, Vajza është mbytur ujin e mbledhur duke dashur që ta tërheq vëllanë e saj./Telegrafi/