Telegrafi

Investitorët largojnë 350 mln euro fitime nga Shqipëria

Nëse bankave nuk do t’u ishte ndaluar transferimi gjatë 2009-s (si një masë që mori Banka e Shqipërisë në mënyrë që sistemi bankar të ishte më rezistent ndaj krizës globale financiare), atëherë kësaj do t’i ishin shtuar dhe një pjesë e lartë e fitimit prej rreth 85 milionë eurosh që kishin bankat me pronësi të huaj gjatë 2008-s.

Shuma e transferuar gjatë 2009-s ishte gati sa gjysma e të ardhurave që u siguruan nga eksporti dhe sa 45% e parave që emigrantët sollën në vend në 2009-n. Shkaku kryesor i rritjes së sasisë së fitimeve të transferuara lidhet sërish me projektin e rrugës Rrëshen-Kalimash, pasi afërsisht një e treta e parave të shpenzuara nga qeveria u transferuan nga kompanitë sipërmarrëse në formë fitimi neto.

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur thellimi i deficitit tregtar kishte çuar në përkeqësimin e deficitit të llogarisë korrente, viti 2009 nxori në pah një tjetër element: niveli i lartë i fitimeve, që po transferoheshin jashtë, ishte mjaft i lartë, në një kohë që të ardhurat hyrëse nga investimet u zvogëluan (investimet e shqiptarëve jashtë duket se dhanë më pak fryte për shkak të krizës globale).

Zëri i të ardhurave nga investimet kaloi për herë të parë në bilanc negativ në 2008-n, duke u thelluar ndjeshëm në 2009-n. Hemorragjia pritet të vijojë edhe këtë vit, pasi bankat nuk e kanë më kufizimin në të drejtën e transferimit të fitimeve dhe u lind e drejta të transferojnë si fitimet e pakta të realizuara në vitin 2009, ashtu edhe fitimet e bollshme të realizuara në vitet paraardhëse. /shqip/