Telegrafi

Investitorët austriak duan të investojnë në Kosovë

Qëllimi i këtij organizimi është prezantimi i mundësive për investime në Kosovë para biznesmenëve austriak.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se Kosova ka shumë pasuri nëntokësore për të investuar. Sipas tij, koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dëshmon se Kosova ka qëndrueshmëri për të investuar

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha se përveç pasurive nëntokësore Kosova ka edhe moshën mesatare, e cila është më e reja në Evropë.

Ndërsa, drejtori i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë, (APIK), Mustaf Hasani tha se përkundër krizës globale Kosova ka shënuar rritje në investimet e huaja. “Do t’i eliminojmë problemet procedurale dhe do t’i thjeshtësojmë në mënyrë që investitorët kur të vijnë në Kosovë të kenë më pakë punë në aspektin e procedurave”, tha Hasanaj.

Ndërkaq zëvendësministri i Energjisë dhe Minierave, Blerim Rexha ka prezantuar potencialet që Kosova ka në fushën e energjisë dhe minierave. “Mund të investohet në prodhimin e energjisë me erë, energjisë me ujë sepse Kosova ka shumë liqene dhe energjisë me qymyr”, tha Rexha.

Hubert Beidinger, ushtrues i detyrës së ambasadorit të Austrisë ne Kosovë tha se Austria është e interesuar të ndihmoj në Kosovë në fushën e ekonomisë.

Përfaqësuesit e firmave austriake dhe kosovare në kontaktet dhe takime B2B biseduan për mundësitë e bashkëpunimit konkret në mes të dy vendeve. /Telegrafi/