Në Komunën e Ferizajt së shpejti pritet të fillojë ndërtimi i Pallatit të Kulturës, investim milionësh ky nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, ka bërë të ditur se tani janë në fazën e fundit të dëgjimit publik për finalizimin e këtij projekti .
Komuna e Ferizajt së shpejti do të bëhet me një pallat të ri të kulturës, projekt ky i cili pritet të finalizohet së shpejti.
Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, ka bërë të ditur se tani janë në fazën e fundit të dëgjimit publik, ku edhe pritet shpallja e tenderit për të filluar ndërtimi.
“Do ta analizoj projektin fitues dhe besoj se brenda dy-tri javësh do të kemi një dëgjim të ri publik dhe pas këtij dëgjimi projekti për ndërtimin e Pallatit të Kulturës do të merr formën përfundimtare”, tha për RTV Dukagjinin, Agim Aliu.
Sa i përket shifrës së investuar për këtë pallat, ai ka pohuar se projekti ende është në punim e sipër dhe vlerën e saktë do ta përcaktojë prokurimi.
Është herët të flasim për shifra pasi janë është duke u përfunduar me detaje projekti. Vlerën e fundit e përcakton procesi i prokurimit”, shtoi më tej Agim Aliu, përcjell Telegrafi.
Këtë projekt e ka mirëpritur drejtori i teatrit të këtij qyteti, Fatmir Hyseni, i cili ka thënë se kjo do të ia lehtësojë punën teatrit.
“Çdo projekt i infrastrukturës kulturore në Kosovë që bëhet është mëse i nevojshëm, mos të flasim më për Ferizajn që ka pasur mungesë të jashtëzakonshme të infrastrukturës kulturore…Teatrin e liron prej koncerteve të tilla dhe koncerteve që bëhen në Ferizaj pasi për momentin e kemi vetëm sallën e teatrin në shfrytëzim edhe për aktivitete tjera kulturore”, deklaroi Fatmir Hyseni.
Pallati i Kulturës pritet të ndërtohet afër Qendrës së Inovacionit, objekt i cili është shfrytëzuar si Qendër Kulturore./Telegrafi/