Telegrafi

Investimet serbe, jashtë kontrollit

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës deklarojnë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që Serbia t’i forcojë strukturat e saj paralele në Kosovë, edhe pse, së fundi, përfaqësuesit e Beogradit zyrtar janë zotuar se do të bëjnë çdo gjë për të mundësuar zhvillimin e mëtejmë dhe fuqizimin e strukturave të veta në Kosovë.

Mirëpo, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se janë duke punuar vendosmërisht, në mënyrë që komuniteti serb në Kosovë të rrisë besimin ndaj institucioneve të Kosovës, e me këtë të zbehin ndikimin e strukturave paralele.

“Ne jemi duke punuar që ta vendosim rendin dhe ligjin. Ajo (Serbia) po e bën ende financimin e strukturave paralele – disa struktura, të cilat mendojnë që ta përfaqësojnë sovranitetin e Serbisë”.

“Unë mendoj që këtu duhet të kemi veprime të ligjshme, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare”.

“Kjo nuk do të ndodhë si diçka e përnjëditshme, po duhet të jemi të kujdesshëm që të jemi atraktivë ta bindim minoritetin serb dhe njëkohësisht të veprojmë në përputhje me ligjin”, thotë Kuçi.

Edhe strategjia për veriun e Kosovës, e hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare së bashku me Qeverinë, sipas Kuçit, do të bëjë që në veri të Kosovës të respektohet edhe rendi, edhe ligji.

Zyrtarët e partive opozitare thonë se institucionet kosovare tashmë kanë mekanizmat ligjorë, që duhet t’i përdorin dhe të mos lejojnë investime ilegale të Serbisë në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të reagojë menjëherë në ndaljen e punëve, ose konfiskimin e secilit investim që ndodh nga Serbia në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës e kanë mekanizmin e ligjit; janë ato që duhet ta përdorin atë, për të ndaluar investimet ilegale dhe të karakterit agresor që bën shteti i Serbisë në Kosovë”.

“Sipas ligjeve në Kosovë, çdo investim nga Serbia duhet të shkojë përmes, ose me pajtimin e Qeverisë së Kosovës. Dhe, secili investim që bëhet pa këtë procedurë, duhet të konsiderohet si ilegal dhe që cenon integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës”, thekson Ramadani.

Një nga mënyrat e tjera të mundshme për mos të lejuar investime nga Serbia në Kosovë, siç konsideron Ramadani, është edhe mundësia që institucionet e vendit të nisin investimet në ato pjesë të Kosovës ku janë të nevojshme.

“Serbia është duke vazhduar politikën e saj agresore ndaj Kosovës dhe, normalisht që nuk presim që në këtë fazë Serbia të komunikojë me Qeverinë e Kosovës”.

“Por, institucionet e vendit duhet të jenë më aktive për t’i ndaluar këto investime dhe në të njëjtën kohë, për të hyrë me investimet e veta më të mëdha në të gjitha zonat e Kosovës dhe posaçërisht ato me komunitetin serb”, shpjegon Ramadani.

Ndërkaq, sipas ekspertëve për çështje financiare, për investimet e Serbisë në Kosovë është diskutuar edhe në bisedimet e Vjenës, gjatë negociatave për statusin e Kosovës.

Eksperti Muhamet Mustafa thotë se Qeveria e Serbisë mund të investojë në Kosovë, por vetëm duke i respektuar rregullat dhe ligjet.

“Nëse hyn me rregulla, siç munden shtetet e tjera që investojnë në Kosovë, ne nuk mund ta ndalojmë Serbinë të investojnë në Kosovë. Mirëpo, duhet të zbatohen ligjet e Kosovës dhe duhet të bëhet brenda sistemit financiar të Kosovës, brenda thesarit Kosovës dhe ligjeve”.

“Nëse nuk e bën një gjë të tillë dhe keqpërdoren ato mjete për politikë, atëherë duhet të veprojë ligji. Por, sa është bashkësia ndërkombëtare dhe Kosova e interesuar që të insistojë në forcimin e ligjit dhe veprimin e ligjit, kjo është një çështje tjetër”, vlerëson Mustafa.

Mustafa sqaron se asnjë shtet në botë nuk lejon parasistem financiar, sepse, siç thotë ai, ky veprim shkatërron ekonominë, konkurrencën e barabartë, si dhe e shkatërron sistemin ligjor.

Mustafa shprehet se Serbia nuk është e interesuar të ndihmojë zhvillimin e komunitetit serb të Kosovës.

“Serbia mund të ndihmojë zhvillimin e komuniteti serb këtu, por duke i zbatuar ligjet e Kosovës dhe duke vepruar në sistemin e pagesës, në sistemin bankar, si dhe në të gjithë rregullativën financiare të Kosovës”.

“Serbia, natyrisht që nuk është e interesuar për një punë të tillë, se ajo tenton që këto ndihma financiare t’i politizojë. Nuk shumë e brengosur për pozitën e kombit serb, sa për politizimin e këtyre situatave”, shprehet Mustafa.

Për vitin 2010, Qeveria e Serbisë ka ndarë mbi 40 milionë euro për strukturat paralele në Kosovë, të cilat janë ngritur që nga vitit 1999. /rel/