Site icon Telegrafi

Investimet milionëshe të Hashimit me shokë në Kosovë

Në fund të korridorit të errët të hotelit “Grand”, e vetmja që ndriçon është zyra modeste e Rrahimit. E bardha, ngjyra dominuese në hapësirën që gumëzhinë nga zërat e punëtorëve, është ngjyra që i jep jetë hotelit ikonë, tashmë të harruar në kryeqytet.

“Nga këtu fillon gjithçka”, thotë Rrahim Hashimi, drejtues i kompanisë City Group derisa tregon për planet e investimeve milionëshe e hapjen e qindra vendeve të reja të punës në vitin 2016.

Ai ka mbledhur rreth vetes biznesmen të fuqishëm vendës e ndërkombëtarë dhe thotë që e kanë mision ringjalljen ekonomike, me investimin multi milionëshe në Kosovë.

Prishtina, Kaçaniku, Lipjani e Rahoveci janë qytetet e para në targetin e tyre, ku do të punësohen mbi 300 qytetarë.

“Misioni i jonë është zgjerimi i veprimtarisë, realizimi i ideve dhe projekteve më të mira dhe më komplekse me qëllim që klientët tanë të jenë sa më të kënaqur me punën tonë si dhe hapja e vendeve të reja të punës”, thotë Hashimi.

Një nga veprimtaritë e City Group është ndërtimi ku është duke zhvilluar dhe zbatuar projekte të shumta në këtë fushë.

Por, tashmë ka filluar edhe me eksplatimin, shitjen, përpunimin e gurit eruptiv (vullkanik), mermerit, granitit dhe të mineraleve tjera si: magnezitit, boksideve, platinumit si dhe grumbullimin dhe shitjen e skrapit (hekurishte).

Është miniera e Strazhës në Komunën e Kaçanikut, ku do të punësohen 130 qytetarë, krahas 70 ve të tjerë që parashihen të gjejnë vend në City Group.

“Kaçaniku është një ndër komunat më të varfëra në Kosovë. Ne si kompani synojmë ringjalljen ekonomike, me investimin e rreth 1 milion eurove këtu dhe të gjithë punëtorët do ti marrim vendës. Nuk do të punësojmë askënd nga jashtë komune”, thotë ai derisa shikon nga rafti ku janë të ekspozuara shishet e para me verë prodhim Kosove.

Është brendi më i ri i verës “De Rada Wine”, e prodhuar nga “Dushkaja Group”, shkruan Gazeta Fjala.

Ky është një nga kompanitë e Hashimit, e cila merret kryesisht me kultivimin e rrushit dhe prodhimin e verërave.

“Dushkaja Group” ka nxjerrë në treg brendin tonë të verës ““De Rada Wine”, ku në kuadër të brendit janë 8 lloje të verave: Vera e kuqe, Vera e bardhë, Vranac, Rizling Italia, Chardonnay, Merlot dhe Cabernet Savignon. Përmes këtij brendi do të rrisim cilësinë e verës dhe kulturën e konsumimit”.

Aktualisht këtu janë të punësuar 20 punëtorë dhe shumë shpejtë do të punësohen edhe 80 të tjerë në prodhimin, distribuimin dhe furnizimin me verërat më cilësore në vend.

“Dushkaja Group” ka 400 hektar tokë në Komunën e Rahovecit. Kjo tregon se kemi potencial te madh në këtë sektor të bujqësisë. Në kuadër të kësaj, gjatë vitit 2016 do të bëhet investim prej 0,5 milion euro në vreshta si dhe 5 hektar tokë në sektorin e fermës së lopëve e cila është në ndërtim e sipër”.

Përveç kësaj do të bëhet paketimi i të gjitha llojeve të mishit, nga standardet më të larta si dhe paketimin e produkteve te frutave të thata, miellit dhe të produkteve të bulmetit (djath, qumësht, gjiz, ajkë).

Tregu i naftës dhe mermerit prioritet

Hashimi me shokë kana marrë seriozisht edhe furnizimin e tregut të Kosovës me karburante.

Për këtë është themeluar kompania “Ilirian Power”, e themeluar me kapital vendor, e cila është e licencuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shitjen dhe distribuimin e karburanteve dhe vajit motorik.

Kjo kompani është një nga partnerët me të cilët Hashimi vlerëson se do të mund të përmirësojnë situatën ekonomike në vend.

“Ilirian Power” ka realizuar njëmbëdhjetë parakontrata me njëmbëdhjetë pika të karburanteve dhe deri me tani janë investuar mbi 1 milion euro në modernizimin e paisjeve sipas standardeve, fiskalizimin e tyre e trajnimi e stafit.

“Gjithashtu jemi ende duke investuar dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, investim ky që pritet të jetë mbi 2 milion euro”, thotë Hashimi, derisa tregon qe nga 40 punëtorë sa kanë tani në këtë kompani numri i të punësuarve pritet të rritet deri në 100.

“Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike në Kosovë dhe papunësinë e madhe, shpresojmë që ne me këto investime të jemi një ndihmesë sado e vogël për zbutjen e papunësisë”.

“Ne synojmë të mbështesim rritje ekonomike afatgjate, stabilitet social, mirëqenie dhe progres në rajonin në të cilin operojmë, gjithashtu të kujdesemi për natyrën dhe të sigurojmë përdorim sa më efektiv të resurseve natyrore”, pohon ai.

Kjo kompani synon të jetë lider në Kosovë dhe rajon në fushën e energjisë.

“Duam të jemi një furnitor i besueshëm i karburanteve në tregun e Kosovës, që t’u ofrojmë klientëve tanë derivate të cilësisë së lartë me çmime shumë më të favorshme, duke ia dëshmuar tregut që ne do të jemi të pa konkurrentë”.

E në tregun e mermerit, granitit dhe linjiteve është angazhuar “Fenix Energji Company.L.L.C”.

Kjo kompani merret me nxjerrjen, përpunimin dhe shitjen e dimenzioneve të ndryshme të gurëve tw mermertë dhe granit, si dhe linjiteve.

“Gurorja dhe Baza e makineris tonë është e vendosur në Gadime të ulët, në Komunën e Lipjanit ku pritet të investojmë deri në Prill të 2016-së, në makineri në zhvillimin e gurores së mermerit në Gadime, ku shuma investimeve pritet të jetë deri ne 600 mijë euro”.

Rezervat për nxjerrje të gurëve në këtë lokacion janë vlerësuara rreth 2, 400,000 m3.

Mermeri që nxjerrë kjo kompani është tepër i rrallë dhe i veçantë për nga pamja dhe kualiteti i tij.

“Teknologjia e përdorur për nxjerrje dhe përpunim është teknologji e viteve të fundit, e cila ofron mundësinë e realizimit e nxjerrjes me kosto me të ulët dhe me rendiment më të lartë”.

Aktualisht kompania ka bërë hapjen e trases së rrugës me gjatësi prej 1800 metra dhe gjithashtu ka filluar me hapjen e Gurores.

“Misioni I kompanisë “Fenix Energy Company” nga Marsi i vitit 2016 pritet që ta rrisë numrin e punëtorëve dhe të punësojë për në gurore rreth 30 punëtorë të cilët do të kenë një ndikim pozitiv në mirëqenien e tyre, në zbutjen e papunësisë dhe lehtësimin e jetës së shumë familjeve”.

Kjo kompani projekton të nxjerrë rreth 12.000 m3 blloqe mermeri dhe rreth 40.000 m3 lëndë dytësore që mbesin nga mbetja e shfrytëzimit të gurores dhe që mund të përdorët për agregat dhe shtrimin e rrugës./Gazeta Fjala/.

Exit mobile version