Valbona Zeneli
Kina dhe Evropa kanë qenë partnerë të qëndrueshëm tregtarë për një kohë të gjatë, tashmë. Ajo që ka ndryshuar në dekadën e fundit është rritja e gjurmës kineze në investimet evropiane. Investimet e huaja direkte kineze në vendet e Bashkimit Evropian (BE) janë rritur me pothuajse 50 herë, vetëm gjatë tetë viteve të fundit, nga më pak se 840 milionë dollarë në vitin 2008 në një rekord prej 42 miliardë dollarësh (35 miliard euro) në 2016, sipas statistikave të “Rhodium Group”. Situata aktuale reflekton një ndryshim paradigme në marrëdhëniet Sino-Evropiane, e cila duhet të vlerësohet me kujdes të veçantë, qoftë për ndikimin ekonomik, por edhe atë gjeopolitik në Evropë.
Interesat e Kinës në Evropë janë të shumëfishta – nga qasja te teknologjitë e reja, asetet dhe njohuritë e teknologjisë së lartë, deri tek aksesi më i gjerë tregtar në tregun evropian dhe hyrja në tregjet e treta (si Shtetet e Bashkuara) nëpërmjet rrjeteve të korporatave evropiane. Investitorët kinezë janë në kërkim të vazhdueshëm të emrave dhe markave më të njohura për të përmirësuar tregtueshmërinë e prodhimeve të tyre – si brenda dhe jashtë vendit – duke kërkuar kështu një rol kyç në zinxhirët e integruar rajonalë dhe globalë. Gjithashtu, Kina e kupton se duke ndërmarrë hapa strategjikë për t’u bërë një lojtar kritik ekonomik në të gjithë rajonin, Pekini do të rrisë ndikimin e tij politik dhe diplomatik në Evropë.
Ndërkohë që sasitë e investimeve evropiane në tregun kinez, historikisht kanë tejkaluar investimet kineze jashtë vendit, rrota është kthyer në mënyrë të papritur që prej vitit 2014. Në vitin 2016, investimet e reja kineze në BE ishin më shumë se katër herë më të larta (duke arritur një rekord të lartë prej 35 miliardë eurosh) sesa investimet e reja evropiane në Kinë (8 miliardë euro).
Investimet totale kineze në Evropë, përfshirë bashkimet dhe blerjet (mergers and acquisitions), por edhe investimet e reja (greefield), kapin shumën prej 348 miliardë dollarësh, ndërsa Kina ka blerë më shumë se 350 kompani të mëdha evropiane gjatë 10 viteve të fundit.
Natyrisht, pjesëmarrja e investimeve direkte kineze në Evropë përbën vetëm 2.2 për qind të stokut të investimeve të huaja në kontinentin evropian dhe mbetet e ulët krahasuar me investimet amerikane, që përbëjnë 38 për qind të tregut të investimeve të huaja ne BE. Ngjashëm, edhe vendet e BE-së përbënin vetëm 4 për qind të totalit të investimeve të huaja në Kinë në vitin 2016, përkundrejt 36 për qind të tregut të investimeve në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse investimet kineze në BE janë ende relativisht të ulëta, ato po zhvillohen me shpejtësi dhe ritme të pashembullta.
Në sytë e investitorëve kinezë, Evropa shpërndahet në tri zona të ndryshme, që përbëhen nga perëndimi, jugu dhe lindja, bazuar në ndryshimet ekonomike, përparimin teknologjik, vendndodhjen gjeografike dhe kuadrin institucional. Kjo pikëpamje shtyn një strategji të larmishme të investimeve kineze në Evropë, me fokus në investimet kapitale në vendet kryesore të BE-së, të plotësuara nga projekte të mëdha të zhvillimit të infrastrukturës në periferinë e saj.
Në Evropën Perëndimore, investitorët kinezë synojnë asetet strategjike të Evropës dhe rrjetet e kërkimit dhe zhvillimit teknologjik, ku vendet më të mëdha dhe të pasura tërheqin sasitë më të mëdha të kapitaleve kineze. Mbretëria e Bashkuar (70 miliardë dollarë investime kineze), Italia (31 miliardë dollarë), Gjermania (20 miliardë dollarë) dhe Franca (13 miliardë dollarë) përbëjnë 75 për qind të investimeve totale kineze në tregun e BE-së.
Në Evropën Jugore, kompanitë kineze kanë shfrytëzuar krizën ekonomike dhe pasojat e saj për t’u përqendruar në proceset e mëdha të privatizimeve dhe ristrukturimit financiar dhe ekonomik pas krizës. Në Itali, investimet kineze u rritën që nga 2014, në afro 5 miliardë euro (5.7 miliardë dollarë), që korrespondojnë me rreth 10 për qind të investimeve totale kineze në tregun evropian të aksioneve. Në vitin 2015, blerja e Pirelli nga kompanitë kineze e bëri Italinë destinacionin kryesor të investimeve kineze në Evropë, duke i dhënë Kinës akses në një nga prodhuesit më të rëndësishëm të gomave të makinave në nivel global, por gjithashtu edhe një akses në një treg të rëndësishëm, që deri tani ishte i dominuar nga kompanitë evropiane dhe japoneze.
Në Greqi, gjiganti i ndërmarrjeve shtetërore kineze “COSCO Holdings Company” ka blerë 67 për qind të aksioneve të portit të Pireut, duke e kthyer atë në portin më të madh të udhëtarëve në Evropë. Me investimin strategjik në këtë port, Pireu konsiderohet tashmë “porta për në Evropë” e Kinës, duke shkurtuar prej afro një jave kohen e transportimit për mallrat kineze drejt tregut evropian.
Ndërsa kur bëhet fjalë për investimet e huaja për frymë në Evropë, Portugalia është përfituesja kryesore e investimeve kineze, me një sasi prej gati 9 miliardë eurosh. Kina u angazhua në Portugali pas krizës financiare në vitin 2010, duke investuar në një gamë të gjerë të aseteve strategjike siç janë energjia elektrike, transporti, industria e naftës, shërbimet financiare, sigurimet shëndetësore, si edhe pasuria e patundshme.
Në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, Kina po vepron platformën “16 + 1”, e cila bashkon një grup shumë të larmishëm të vendeve anëtarëve dhe kandidate të Bashkimit Evropian. Në të gjithë rajonin, çmimet e blerjes janë më të ulëta, kërkesa për kreditim preferencial është e lartë, kapitali njerëzor është me kosto të ulët dhe efektive, si dhe koncesionet politike për investitorët kinezë janë të thjeshtëzuara. Mbi të gjitha, vendndodhja strategjike është e përsosur. Harta e Evropës Qendrore dhe Lindore funksionon në mënyrë ideale për objektivat kryesore të Kinës: rrjetet e transportit për Iniciativën Belt and Road dhe arritja e qëllimeve për të zgjeruar investimet e mëtejshme kapitale në të gjithë BE-në. Megjithatë, investimet kineze në rajon përfaqësojnë një përqindje të vogël, krahasuar me vendet kryesore të BE-së.
NË BE Kina nuk ka qenë asnjëherë një partner i lehtë për Bashkim Evropian. Çështjet e diskutueshme përfshijnë shqetësimet mbi të drejtat e pronësisë intelektuale, shtrembërimet e çmimeve për shkak të dumpingut të subvencionuar nga qeveria kineze, kushtet e pabarabarta për hyrjen në treg, si dhe diskriminimin ndaj kompanive të BE-së në tenderët publikë në Kinë. Ekziston edhe çështja e rëndësishme e reciprocitetit, ku sektorë të tillë si financa, telekomunikacioni, logjistika dhe prokurimet publike janë të kufizuara për investitorët e huaj në Kinë, por sektorë të hapur për investitorët kinezë në BE. Kjo përforcon më shumë edhe aspektin politik të aksesit asimetrik të tregjeve. Sasia më e madhe e investimeve kineze në Evropë, më shumë se 70 për qind e tyre, e kanë prejardhjen nga ndërmarrjet shtetërore të mbështetura nga qeveria kineze. Ky fakt komplikon edhe më shumë aftësinë e politikëbërësve në vendet e Bashkimit Evropian, për të vlerësuar investimet e larta kineze dhe ndikimin mbi sovranitetin dhe sigurinë evropiane.
Disa ekonomi evropiane, ende jo të rimëkëmbura plotësisht nga kriza e Eurozonës, i kanë parë pozitivisht investimet kineze si një burim kapitali financiar dhe mjet për të krijuar rritje ekonomike, rritje të ardhurash nga taksat, punësimi, zhvillimi i infrastrukturës dhe zhvillimi i tregut. Vetëm në vitet e fundit kanë dalë ne pah disa shqetësime, pasi kryeqytetet evropiane po përpiqen të gjejnë ekuilibrin e duhur midis parimeve themelore të hapjes ekonomike (që është bazë e ekonomisë se Bashkimit Evropian) dhe shqetësimeve të sigurisë lidhur me gjurmët në rritje kineze në Evropë. Shqetësimet përfshijnë perceptimet mbi rolin e shtetit kinez në ekonomi, mungesën e reciprocitetit dhe konkurrencës se ndershme, rrezikun e humbjes së konkurrencës kombëtare (dhe evropiane) të lidershipit teknologjik, si dhe shqetësimet më tradicionale të sigurisë lidhur me infrastrukturën kritike, asetet strategjike dhe teknologjitë e sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes.
Në shtator të vitit 2018, me kërkesë të tri vendeve (Gjermanisë, Francës dhe Italisë), Komisioni Evropian propozoi një legjislacion të ri për të krijuar një kornizë të përbashkët evropiane për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte kritike. Legjislacioni i ri përqendrohet në asetet strategjike, që janë kritike për sigurinë dhe rendin publik evropian, por përfshin edhe blerjet e huaja të teknologjive kritike, të infrastrukturës, apo informacionin sensitiv.
Duke pasur parasysh situatën e përgjithshme në Evropë ndaj ndjenjave populiste, sovraniteti kombëtar mbi politikat e investimeve po kthehet në një temë thelbësore për shumë vende evropiane. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shtetet më të vogla të BE-së, të shqetësuara se mekanizmi i shqyrtimit të investimeve në nivel të BE-së mund të përdoret padrejtësisht nga shtetet më të mëdha si një instrument ndikues ekonomik, duke shtuar kështu përparësitë ekzistuese, që vendet më të zhvilluara në BE kanë në lidhjet ekonomike dhe tregtare me Kinën.
Në njëfarë mënyre, pikëpamjet e ndryshme brenda BE-së lidhur praninë e rritur kineze në ekonomitë e tyre, përfaqësojnë gjithashtu interesa divergjente në lidhje me pikat e forta dhe nevojat e ekonomive të tyre kombëtare. Ekonomitë e zhvilluara dhe invative do të tentojnë të kërkojnë një mbrojtje më të madhe nga tregu kinez, duke e kombinuar atë me një ekspozim të nevojshëm dhe të kujdesshëm ndaj tregut kinez. Ekonomitë më të varura nga konsumi, turizmi dhe kapitali i huaj do të shohin përfitime më të mëdha prej investimeve kineze, duke bërë edhe një vlerësim më të ulët ndaj rreziqeve të këtyre investimeve.
Në mungesë të një qasjeje të koordinuar evropiane, qasja e Kinës ndaj vendeve që bëjnë pjesë në platformën “16 + 1” – ku theksohen marrëdhëniet rajonale dhe dypalëshe me vendet, duke nxitur në të njëjtën kohë konkurrencën dhe ndarjen midis tyre – mund të jetë sfiduese për të ardhmen e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian. Në fund të ditës, historia e rritjes së ndikimit të Kinës në Evropë ka të bëjë si me rritjen e padiskutueshme të Kinës në tregun global, por po ashtu edhe me fragmentimin e mundshëm të Evropës.