Janë inspektuar punimet në ndërtimin e fundërruesit dhe ndërrimin e filtrave në komunën e Klinës, një investim i përbashkët i Qeverisë së Kosovës, KRU “Hidrodrini” dhe Komunës së Klinës.
Ky projekt i rëndësishëm, me një vlerë prej mbi 1 milion eurosh, synon përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e kësaj komune.
KRU “Hidrodrini”, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka informuar publikun për ecurinë e punimeve.
Në lidhje me progresin e punimeve dhe përfitimet që priten nga ky investim, KRU “Hidrodrini” ka njoftuar për fazën aktuale të projektit dhe ndikimin që do të ketë në komunitet, duke theksuar tani ndodhen në fazën finale, dhe testimi pritet të fillojë në muajin nëntor.
“Është konstatuar se projekti i ndërtimit të fundërruesit ndodhet në fazën finale dhe nga mesi i muajit Nëntor do të filloi testimi i tij. Po ashtu ndërrimi i filtrave si proces është konkluduar se po ndodhë sipas dinamikave në terren, gjë që do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e furnizimit dhe kualitetit të ujit për komunën e Klinës”, kanë shkruar KRU “Hidrodrini”.
Me përfundimin dhe funksionalizimin e këtij investimi, furnizimi me ujë të pijshëm pritet të rritet me 100 litra në sekondë, duke plotësuar nevojat e më shumë se 10 mijë banorëve.