“Pyjet e Maqedonisë” dhe Bashkia e Shkupit po e hudhin fajin për palmat e thara të cilat në vitin 2015 u vendosën në disa qytete, ndërsa gjatë ditës së sotme ata përfunduan në mbeturina. Këtë mëngjes në Facebook u përhapën fotografi të palmave të cilat përmes kamionëve u dërguan në mbeturina, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Palmat e famshme gjysmë milion euro të qeverisë u thanë duke dëshmuar se klima në vend nuk është e përshtatshme për këto lloj pemësh. Personat që kujdeseshin për mirëmbajtjen e parkut ku dikur kishte palma, thanë se vetëm sot janë shkulur mbi 30 të tilla ndërsa ditëve në vijim do të shkulen edhe të tjerat, përkatësisht rreth 1.100.
Kohë më parë edhe agro-meteorologët reaguan ndaj mbjelljes së palmave duke përkujtuar se të njëjtat janë pemë tropikale dhe duhet të mbillen në vende ku moti është më i butë dhe më i lagësht./Telegrafi/