Telegrafi

Hallexhiu i bie në gjunjë Ramës: Më shpëto nga ujërat e zeza ndryshe do të vdes!

Kryeministri Edi Rama është ndalur pasditen e sotme në qytetin e Korçës, për të zhvilluar një dëgjesë me qytetarët. Një qytetar i Pogradecit, invalid i grupit të dytë, shfrytëzoi takimin për t’i rrëfyer kryeministrit hallin e tij.

Qytetari i cili tha se kishte bërë dy herë transplant veshke, iu përgjërua në gjunjë Ramës që t’i japë zgjidhje problemit të ujërave të zeza në zonën ku jeton pasi kjo i kushtonte me vetë jetën e tij.

“Jam qytetar i Pogradecit, jam invalid i grupit të dytë. Bëj dializë. Kam bërë dy transplante veshke. Kam një problem shumë të madh. Për herë të parë dua t’iu bëj një falënderim për personat që bëjnë dializën në Korçë, ua çove aparatet. Bravo ju qoftë! Ju përgjërohem. E di vetë se çfarë do të thotë dializë. Më falni për dridhjen, sepse edhe ilaçet që marr janë të atilla që na japin dridhje. Më 2004 kam filluar dializën, më 2005 kam shitur shtëpinë dhe kam bërë transplant në Greqi. Ma ka dhënë veshkën babai. Pas gjashtë vitesh më është prishur. Sapo mbylla vitin, me 3 korrik kam bërë vitin që kam bërë transplantin e dytë. Ujërat e zeza i kemi si mos më keq, nuk jam vetëm unë, por mua më djeg më shumë nga të gjithë për arsye sepse unë po arrita të marr një mikrob, larg qoftë, mua më ikën veshka dhe nuk kam më një shans të dytë në jetën time. Ju lutem, ju lutem, ju përgjërohem prapë. E di që është përgjegjësi e Bashkisë së Pogradecit, por nuk kam ku të ankohem. Para një viti kam vajtur dhe jam ankuar atje e më kanë thënë nuk kemi fonde. Kam bërë tre operime të tjera dhe nuk kam më mundësi”, thotë ky hallexhi. /albeu/