Pas invadimit në Normandi, kohëve të fundit Evropa po e përjeton zhvendosjen më të madhe drejt saj. Qindra e mijëra civilë të paarmatosur, kryesisht nga Siria dhe Iraku, ia kanë mësyrë kontinentit të vjetër duke ikur nga lufta dhe mjerimi që ajo po sjell. Për qindra e mijëra, qytetarë të cilët pa fajin e tyre janë ndodhur në vorbullën e luftërave e revolucioneve, të ringjalljes mesjetare nëpër vendet me popullsi arabe, apo myslimane, Evropa po përjetohet si “Arka e Noas”. Biznesi i trafiqeve me njerëz po lulëzon si asnjëherë më parë!
Atje, në zonat e luftës, në Siri dhe Irak, më nuk dihet kush është kush, për çka lufton apo kundër kujt. Të gjithë, armiq realë e virtualë, presin kokat e njëri-tjetrit duke premtuar kështu parajsën. Kur të kryhet krejt kjo, edhe harta demografike dhe ajo politike e kësaj zone do të ketë ndryshuar në përmasa të paimagjinueshme për qytetarin e thjeshtë. Pas kësaj, rrugës së njëjtë mbase do të rrjedhë veç nafta, gazi dhe trafiqet e tjera.
Përmes gadishujve, që tashmë janë bërë “barku i butë” i Evropës, pra përmes Ballkanit, Italisë, apo përmes Spanjës, përkundër logjikës së gravitetit politik, po rrjedh përpjetë lumi i refugjatëve që po përpiqen të kapin me çdo kusht parajsën evropiane, duke ikur nga parajsa që po e ofrojnë ideologët dhe predikuesit me uniformë nëpër botën arabe. Pjesa dërmuese e tyre duken të jenë njerëz të zakonshëm e hallexhi, krejtësisht të dërmuar nga udhëtimi i gjatë dhe i lodhshëm dhe me mungesë të plotë të gjërave elementare për jetesë! Edhe ato pak para që mund t’i kenë pasur kur janë nisur, ua vjelin rrugës mafia internacionale e trafikimit me qenie njerëzore, kjo korporatë ndërkombëtare e krimit ku fare lehtë mund të kenë aksione edhe shtete të ndryshme në të cilat nuk prodhohet asgjë përpos krimit.
Por, ju mund flisni edhe për rreziqet, që sjell kjo masë e pafund e njerëzve! Mund të thoni se mund të ketë mes tyre edhe ushtarë, kamikazë vetëvrasës! Një bombë e ngjyrosur me të kuqe, në mes 10 mijë mollëve është e padukshme, do të thoni ju! Edhe mund të jetë ashtu. Mund të jenë krejtësisht duarthatë, por të armatosur me fanatizëm deri në vetëflijim. Pra, mund të jenë vetë armë! Por, edhe mund të jetë vetëm frikë e cila buron nga ndërgjegjja jonë.
Në anën tjetër, ndoshta duhet mirëkuptim edhe për kontinentin e vjetër, i cili ngjan me atë barkën e vjetër mitike, mbi të cilën ka vërshuar populli që po ik prej apokalipsit! Pamje biblike, apo kuranore të kiametit, në dyert e parajsës së quajtur Evropë!
Kërcënimet e militantëve se do ta invadojnë Evropën me refugjatë ka trembur jo vetëm politikën dhe strukturat e sigurisë në kontinentin e vjetër, por edhe qytetarët. Edhe ballkanasit të ndodhur në mes dëshirave të veta evropiane dhe presionit i cili vjen nga jugu, sikur i ka trembur, dhe atë jo vetëm nga terrorizmi i fshehur, por edhe nga “konkurrenca”. Kapacitetet absorbuese të Evropës për refugjatë janë të kufizuara tashmë! Në këtë tokë tashmë po rriten barishtet e egra të racizmit. E ballkanasit të mbetur jashtë, por brenda kufijve të Evropës, më mirë se kushdo e dinë se çfarë sjell lufta dhe çmenduria e fanatizmit.
Kështu, pamjet e refugjatëve sirianë e irakianë, duke pritur nëpër kufij apo kampe të improvizuara klithin në ndërgjegjen e qeverive evropiane. Mund të ketë edhe rrezik, por më shumë ka gjasë që kjo të jetë veç një thirrje SOS në kufijtë jugorë të Evropës!
Për pasojë në Evropë, e djathta ekstreme po forcohet përderisa shtetet, e në radhë të parë Gjermania Federale, po ndajnë shuma të mëdha të parave nga buxheti i shtetit për të strehuar refugjatët.
Para 16 vitesh edhe popullin e Kosovës e rreshtuan nëpër kolona të pafund dhe i dhanë udhët e botës. Bllaca, ky lokalitet i vogël në kufirin me Maqedoninë, u shndërrua në një ferr ku qindra njerëz dyndeshin për të marrë një bukë apo për ujë nga dora e një polici maqedonas! Policët arrogantë maqedonas dukeshin engjëj në krahasim me terroristët serbë, me uniformë, të cilët po vrisnin e po plaçkitnin pa asnjë kufizim. Çfarë të bënin qytetarët pa mbrojtje përpos se të iknin kudo që gjenin rrugë të hapur?!
Përderisa Kukësi po fryhej shumë herë përtej kapaciteteve të veta absorbuese dhe po sistemohej në radhët e pafund të çadrave, Maqedonia po hezitonte të pranonte masën e refugjatëve kosovarë, e frikësuar për strukturën e saj etnike dhe pasojat politike të pranimit të një numri kaq të madh të refugjatëve. Ishte shumë ngjashëm me gjendjen e sotme në kufirin me Greqinë ku ushtarët maqedonas po “luftojnë” me civilët që i kanë kaluar telat me gjemba.
Gjasat e refugjatëve në luftë me shtetin janë të pakta, edhe pse shumë prej tyre i shpëtojnë rrethimit duke u shpërndarë dhe duke ikur nëpër një vend të panjohur dhe aspak të mirëpritur nga qytetarët. Kështu ndahen familjet dhe veç një Zot e di a do të shihen sërish rreth një tryeze të bukës, në ndonjë kamp refugjatësh, ku do të qeshin e qajnë dhe të tregojnë vuajtjet e tyre.
Por, refugjatët, nuk janë veç fatkeqësi në dyert e Evropës, por edhe biznes. Edhe dimrin e kaluar lumi i refugjatëve kosovarë filloi të ecte përpjetë drejt Evropës me shpresë se do të iknin nga kriza e rëndë ekonomike dhe politike të cilën po e jetonte Kosova vjet. Mungesa e perspektivës, udhëheqës të korruptuar e grindavecë, të cilët ditën me diell po i fusnin duart në xhepat e popullit e shumëçka tjetë… e nisën ortekun drejt Evropës. Krejt kjo mori përmasat e një eksodi dhe një hemorragjie kombëtare ku llogaritet që për pak muaj e lëshuan vendin më shumë se pesë për qind e popullsisë së Kosovës. Aty u pa se si trafiku me njerëzit, joshja, zhvendosja, transporti dhe lënia në mëshirën e fatit në kufijtë e Evropës është tashmë një rutinë për grupe të mëdha trafikuesish që përfitojnë shumë nga kjo.
Kur marrim parasysh rrethanat e krijuara në Siri dhe Irak, si dhe kaosin në të cilën është gjetur qytetari i zakonshëm, është vështirë të thuhet se çfarë janë organizatat që i nxjerrin ata nga ferri: shpëtimtarë apo kriminelë?
Në përgjithësi, në zonat e hirta, nocionet e kriminelëve dhe heronjve ngatërrohen lehtë. Shpeshherë ata veshin të njëjtën xhaketë Dhe, nxjerrin nga xhepi të njëjtën kuletë të fryrë me paratë e refugjatëve, për të blerë bukën e fëmijëve të tyre.
Çka po ndodh? A po e invadon Evropën islami politik, si po thonë mediat e djathta evropiane, apo thjesht mijëra njerëz që po mbyten në detin e dhunës së pafre po zgjatin duart drejt barkës tonë të shpëtimit? A po e nxit këtë rrjedhë drejt Evropës rrjeti i trafikimit ndërkombëtar i cili tashmë po fiton bilionë dollarë nga kjo, apo thjesht veç po e drejtojnë këtë rrjedhë të nisur nga instinkti i njeriut të ikë nga rreziku i luftës dhe ndërkohë po i paguajnë shërbimet e veta?
Jua thashë edhe më herët se në këtë kaos ka pyetje të lehta, por nuk ka përgjigje të tilla!