Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula ka mahnitur publikun në Austri me zërin dhe performancën e saj artistike.
Ajo mbajti të shtunën një koncert në Vjenë, me rastin e 60-të vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Austri, si dhe për nder të festës së 28 Nëntorit.
Koncerti ishte organizuar me iniciativën e Ingrid Mukeli Tendler nga shoqata “Glanz-ing”, e mbështetur nga organizatorë të tjerë dhe AYSAA.
Bashkë me Invën, kanë performuar edhe pianisti Genc Tukiçi, balerini i njohur Eno Peçi si dhe pjesëtarë të Filarmonisë së Vjenës.
“Kur me erdhi ftesa që të jem pjesë e një koncerti të Invës dhe Gencit, e pranova më shumë dëshirë”, thotë Eno Peçi për “albinfo.ch”.
Salla ku u mbajt koncerti ishte e mbushur përplot me mysafirë ku përveç publikut shqiptar nuk mungonte as ai austriak. I pranishëm ishte edhe ambasadori Shqipërisë në Austri, Roland Bimo. “Ishte kënaqësi shumë e madhe e imja të përformoj para një publiku aq dashamirës”, theksoi Eno menjëherë pas koncertit.
Koncerti u mbyll me këngën “Lule bore” të kënduar siç di më së miri ta këndojë Inva Mula.