Site icon Telegrafi

Intervistë, Toby Vogel: Pse Ballkani Perëndimor është në rrezik, dhe çfarë dëmi do të shkaktonte Trump II

Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, konsideron se gjatë këtij viti nuk do të ketë përparim të dukshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për Telegrafin, Vogel vlerëson se kjo po ndodhë për shkak të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i ndihmuar nga Bashkimi Evropian.

“Aleatët e tij perëndimorë e lanë të largohej nga “tentativa e pajtimit”, i cili më pas refuzoi për ta nënshkruar atë që është arritur deri me tani mes dyja palëve. “Me këtë ai ka shkelur “Marrëveshjen e Brukselit””.

Vogël thekson se Qeveria serbe tashmë zyrtarisht edhe me shkrim e ka të deklaruar se kurrë nuk do të bëjë asgjë që mund të interpretohet si njohje de facto, kështu që është e qartë se “marrëveshja” e Vuçiqit është e pakuptimtë.

Sa i përket Asociacionit, ai thotë se pa njohje de facto, Kosova nuk duhet ta pranojë draft-statutin aktual, pasi shton se Asociacioni në këtë mënyrë nuk ka kuptim.

Lidhur me vendimin e BQK-së për dinarin serb, Vogel thotë se narrativa se “Kurti dëshiron të pastrojë etnikisht serbët” dhe “terrorin e Kurtit kundër serbëve”, nuk qëndron, por se ky veprim ndoshta mund të ishte menaxhuar më mirë, me komunikim të qartë nga të fillojë një periudhë tranzicioni prej rreth tre muajsh.

Vogel foli edhe për Milan Radoiçiqin, zgjedhjet në Amerikë si dhe ndikimin rus në Ballkan, përfshirë Kosovën.

Intervista e plotë

Telegrafi: Si e shihni procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, a besoni se do të ketë finalizim gjatë këtij viti?

Toby Vogel: Nuk shoh shumë hapësirë ​​për përparim këtë vit, për një sërë arsyesh. Së pari, ekipi aktual i ndërmjetësve duket se nuk dëshiron të bëjë atë që do të duhej për të krijuar kushtet që mund të prodhonin një marrëveshje përfundimtare – që do të thotë, BE-ja të heq presionin e njëanshëm mbi Kosovën dhe të rris presionin ndaj Serbisë, për ta bërë qasjen më të balancuar. Së dyti, dhe lidhur me këtë, qasja e presidentit Vuçiq i cili është duke pritur zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe, më e rëndësishmja, për një administratë Trump II. Duket se po funksionon deri më tani, pasi kjo e dëshmon faktin që askush nuk dëshiron ta pyes për pengimin e dialogut dhe për Banjskën. Së treti, qeveritë perëndimore janë të hutuara nga dy luftëra të mëdha që po zhvillohen në fqinjësinë e BE-së, në Ukrainë dhe Gaza, dhe do të marrin rrugët më të shkurtra që mund të gjejnë. Askush nuk do të shpenzojë shumë kapital politik për çështjen e dialogut për sa kohë që situata në terren duket e qëndrueshme dhe ne e kemi përcaktuar stabilitetin deri në pikën ku sulmet e armatosura që lënë viktima shihen si të tolerueshme.

Telegrafi: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York, i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që të nënshkruajë marrëveshjen bazë. Pse gjithë ky hezitim i Vuçiqit…?

Toby Vogel: Vuçiqi prej që është në pushtet, sistematikisht ka qëndruar pro nacionalizmit dhe shovinizmit në Serbi përmes mediave që ai i kontrollon, dhe nuk dëshiron të tjetërsojë bazën e fortë për sundimin e tij që ka krijuar përmes çështjes së Kosovës. Në të njëjtën kohë, aleatët e tij perëndimorë e lanë të largohej nga kjo “tentativë e pajtimit”, dhe Vuçiq pastaj ka punuar në mënyrë aktive për ta shkelur “marrëveshjen”. Qeveria serbe tashmë zyrtarisht dhe me shkrim ka deklaruar se kurrë nuk do të bëjë asgjë që mund të interpretohet si njohje de facto e Kosovës, kështu që është e qartë se “marrëveshja” e Vuçiqit është e pakuptimtë.

Telegrafi: Si e shihni çështjen e Asociacionit?

Toby Vogel: Pikëpamja ime personale – edhe pse nuk më takon mua t’i them Kosovës se çfarë të bëjë, Prishtina nuk duhet ta pranojë draft-statutin aktual, për dy arsye. Së pari, vetë statuti është problematik, për shembull duke krijuar burime të drejtpërdrejta të financimit nga Beogradi tek Asociacioni, autoritetet komunale, duke anashkaluar Prishtinën, formalizojnë sistemin aktual. Së dyti, dhe më gjerësisht, pavarësisht nga thelbi i statutit, për Asociacionin u ra dakord në kontekstin e një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme normalizimi. Më shumë se një dekadë pas marrëveshjes së Brukselit, një marrëveshje e tillë normalizimi duket më e pakapshme se kurrë – në fakt, qeveria serbe ka deklaruar zyrtarisht dhe me shkrim, se nuk do të pranonte kurrë elemente që do të ishin domosdoshmërisht pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare – ato elemente që nënkuptojnë njohjen faktike. Jashtë kornizës që çon në normalizim gjithëpërfshirës –  pa njohje de facto e Republikës së Kosovës nga Serbia, Asociacioni nuk ka kuptim. Duke thënë këtë, mendoj se kryeministri Kurti mund të punojë më shumë për t’u treguar serbëve të Kosovës se e ardhmja e tyre qëndron në një Kosovë demokratike, multietnike, jo vetëm në retorikë, por në jetën reale.

Telegrafi: A duhet të kenë SHBA-ja një rol më të madh në arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejt, duke ditur kështu edhe zhvillimet në Ukrainë e më tej?

Toby Vogel: Politika e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor ka qenë e padobishme për disa vite. Dikur ishte insistuar, shtyrë përpara ideja për ndarjen e Kosovës ( shkëmbimi i territoreve). Kjo ishte bërë gjatë administratës Trump. Fatkeqësisht, ka pasur vazhdimësi të shumta mes administratës Trump dhe Biden. SHBA-ja jo pa arsye kanë mbajtur qëndrimin se Kosova dhe rajoni më gjerë janë një problem evropian që duhet të zgjidhet nga BE-ja; pavarësisht provave të grumbulluara se BE-ja është shumë e dobët për të detyruar ndryshime transformuese në dy vendet ku ka më së shumti instrumentet dhe ndikimin më të mundshëm. Në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën – SHBA-ja nuk e ka korrigjuar mbështetjen e saj të fortë për qasjen e BE-së. Pra, edhe nëse do të merrte një rol më të madh tani, nuk jam i sigurt se kjo do të ndryshonte shumë.

Telegrafi: Si i shihni veprimet e fundit të Kosovës në lidhje me dinarin serb?

Toby Vogel: Në të vërtetë nuk më takon mua ta gjykoj këtë; është vendim sovran i Bankës Qendrore të pavarur të Republikës së pavarur të Kosovës. Pikëpamja ime personale si një vëzhgues i jashtëm, është se narrativa se “Kurti dëshiron të pastrojë etnikisht serbët” dhe “terrorin e Kurtit kundër serbëve”, nuk qëndron. Ndoshta mund të ishte menaxhuar më mirë, me komunikim të qartë nga të fillojë një periudhë tranzicioni prej rreth tre muajsh. Unë mendoj se ky vendim prekë më drejtpërdrejt serbët e Kosovës – andaj është dashur që Qeveria e Kosovës të konsultohet, edhe pse në mjedisin aktual dhe të ngarkuar nuk jam i sigurt se sa produktiv do të ishte.

Telegrafi: Procesi në rastin e “Banjskës”, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës, ende nuk ka përfunduar – Milan Radoiçiq është në listën e INTERPOL-it. A duhet Serbia ta ekstradojë Radoiçiqin në Kosovë?

Toby Vogel: Nëse Serbia nuk dëshiron të ekstradojë shtetasin e saj në një vend që nuk e njeh, gjë që është e kuptueshme në parim, duhet ta ndjekë penalisht së bashku me njerëzit që koordinuan dhe financuan aktivitetet e tij, dhe ti dërgojë grupin e caktuar në gjykatë. Sigurisht që mundësia që kjo të ndodhë është një zero.

Telegrafi: Bashkimi Evropian ende nuk i ka hequr masat ndaj Kosovës, përkundër që në veri të Mitrovicës, nuk ka tensionim apo eskalim të ndonjë situate të caktuar?

Toby Vogel: Sepse BE-ja konsideron se Kosova, si më e dobëta nga të dyja palët, është më e pranueshme ndaj presionit sesa Serbia më e fuqishme, dhe sepse ka një nivel armiqësie të thellë ndaj kryeministrit Kurti në kryeqytetet perëndimore që është krejtësisht irracional dhe i pambrojtur. Udhëheqja e dialogut nuk beson në ekzistencën e një Republike të pavarur të Kosovës – si Përfaqësuesi i Lartë Borrell ashtu edhe Përfaqësuesi Special i BE-së Lajçak vijnë nga pakica e vogël e vendeve anëtare të BE-së që refuzojnë të njohin RKS-në – dhe Komisioneri për Zgjerim Várhelyi, i cili merr udhëzimet e tij nga kryeministri Orbán, është i afërt me presidentin Vuçiq. Edhe shtetet anëtare që në parim janë miq të Kosovës, mbi të gjitha Gjermania, janë të irrituar nga Kurti, duan t’i japin Vuçiqit arsye për të luajtur mirë dhe nuk janë të gatshëm të shpenzojnë asnjë kapital politik për të bindur Komisionin dhe shtetet e tjera anëtare të heqin sanksionet.

Telegrafi: Mendoni se Ballkani Perëndimor është në rrezik, duke pasur parasysh edhe ndikimin rus?

Toby Vogel: Unë i kam ndjekur çështjet e Ballkanit që nga rënia e Jugosllavisë në vitin 1991 dhe kurrë nuk kam qenë kaq i shqetësuar që nga përfundimi i konflikteve të ndryshme në hapësirën jugosllave.

Telegrafi: A do të ishte Evropa e njëjtë, në një situatë hipotetike nëse Donald Trump do të kthehej në pushtet?

Toby Vogel: Dëmi kolateral më i menjëhershëm në Evropë i një administrate të Trump II ndoshta do të ishte Ukraina dhe NATO. Evropianët po zgjohen ngadalë nga fakti se së shpejti mund t’u duhet të sigurojnë veten e tyre, por kjo nuk është diçka që mund të krijohet brenda natës – apo edhe brenda pak vitesh.

Exit mobile version