Dëshmitarë nga lagja “Dardania” e Prishtinës janë ftuar për t’u intervistuar sot nga Njësia për Krime Lufte e Policisë së Kosovës për rastin Rikalo.
Është publikuar edhe fotografia, në të cilën deputeti i LDK-së Armend Zemaj pretendon se ndodhet vëllai i ministrit Nenad Rikallo, Gorani, i veshur me uniformën e ushtrisë serbe.
“Z. Zemaj deputet në Parlamentin e Kosovës, e ka gënjyer publikun kur ka shfaqur fotografinë e supozuar të vëllait tim, ku nuk gjendet ai dhe është pjesë e fushatës së qëllimshme të manipulimit të publikut”, ka thënë Rikalo.
Ministri Rikalo po ashtu ka mohuar të ketë torturuar shqiptarët gjatë kohës së luftës në Kosovë. Ka thënë se gjatë asaj kohe merrej me basketboll dhe ishte në studime.