Arriti të bëhet i famshëm për publikun shqiptar përmes rolit të “Rrahmonit”, i cili përfaqëson “Llapjanin” në serialin më të ndjekur të momentit,“O sa mirë”.
Bëhet fjalë për aktorin Kushtrim Qerimi, i cili në një intervistë ekskluzive për Telegrafin rrëfen përvojën në serial dhe angazhimet jasht tij.
Kushtrimi, i cili është nga qyteti i Gjilanit thotë të ketë pasur frikë në fillim, pasi nuk dinte nëse kishte mjaft informacione për “llapjanët”.
“Të jem i sinqertë, në fillim kisha frikë sepse nuk isha në dijeni se sa shumë i njoh llapjanët. Më është dashur t’i qasem ndryshe në mënyrë që të mos vimë deri te keqkuptimet sepse është shumë e vështirë të përmbledhësh një rajon kaq të madh në një personazh të vetëm, ndaj kam bërë shumë kujdes”, tha Kushtrimi duke shpresuar që shikuesit janë të kënaqur me realizimin e këtij karakteri.
Fama ka bërë që t’i cënohet edhe jeta private dhe të jetë në qendër të vëmendjes kudo që ai shkon por, kjo nuk e pengon aspak aktorin , i cili shprehet i lumtur që njerëzit e çmojnë punën e tij.
“Të jesh i famshëm ka privilegjet e veta, unë ndihem mirë kur njerëzit më shikojnë dhe çmojnë punën time dhe nuk më pengon aspak edhe kur më flasin në rrugë ose kontaktojnë, por ndonjëherë edhe mund të mos jem në disponim të mirë ose i zënë që t’u përgjigjem të gjithëve, kërkoj falje për këtë”, shtoj tutje aktori nga Gjilani, i cili tha se megjithëse ndihet mjaft mirë në rolin e “Llapjanit”me dëshirë do ta realizonte edhe karakterin e një qytetari të Gjilanit prej nga vjen.
Ndryshe veç angazhimeve në serial, Kushtrimi është pjesë e Teatrit Kombëtar në shfaqjen “Ferma e Kafshëve” dhe si aktor rezident në “Ansamblin e Teatrit të Gjilanit”, ku për momentin është i angazhuar në provat e shfaqjes “Vdekja aksidentale e një Anarkisti”.
Jashtë fushës së aktrimit, ai menaxhon edhe një bisnes privat, i cili po ashtu po i ecën mjaft mirë./Telegrafi/