Telegrafi

Intervista më rrëqethëse që ndonjëherë është realizuar: Vrasësi serik buzëqeshte derisa pranonte se kishte përdhunuar e vrarë 64 femra (Video)

Vrasësi serik dhe përdhunuesi më famëkeq në Rusi, ka vendosur që para gjykimit të dytë të jep një intervistë për një televizion, ku ndër tjera ka pranuar se shumica e viktimave të tij me vetë dëshirë kanë kryer marrëdhënie seksuale me të para se t’i vriste.

Megjithatë opinioni është shokuar me sjelljet e tij gjatë intervistës, pasi vazhdimisht buzëqeshte edhe pse fliste për përdhunime dhe vrasje makabre, transmeton Telegrafi.

Ish-polici Mikhail Popkov (53), është dënuar dy vite më parë për vrasjen e 22 femrave, dhe tani është në pritje të një verdikti tjetër të paraparë gjatë muajit të ardhshëm, pasi ka pranuar se ka kryer 64 vrasje.

Popkov i cili ka fituar epitetin e “njeriut ujk”, kishte përdhunuar viktimat para se t’i mbyste duke përdorur mjete primitive si sëpata, shkop bejsbolli, thika dhe kaçavida.

Pavarësisht faktit që është dënuar me burgim të përjetshëm, atij i është lejuar të jep interviste për televizionin “Russia 1”, ku edhe ka shfrytëzuar rastin të pranoj se për vrasjet, shkaktar ishte “tradhtia” e gruas së tij, dhe ka hedhur poshtë pretendimet se ka përdhunuar dikë.

Megjithatë, ky ish-polic ka pranuar se i ka kryer këto vrasje duke dashur ta “pastroj” Angarskun, qytetin në të cilin ka jetuar në Sibir, nga prostitutat dhe “femrat amorale”.

I buzëqeshur dhe i lumtur që kishte fituar vëmendjen e të gjithëve, Popkov gjatë intervistës ka shkaktuar zemërim tek qytetarët rusë, ku shumë prej tyre besojnë se ai me këto veprime tallej me viktimat, dhe me deklaratën se shpreson që një ditë do të lirohet.

“ADN-ja ime është gjetur në rroba (të viktimave), dhe për këtë fakt në mënyrë automatike janë dënuar për përdhunim, por ju them me plot bindje se 100 për qind prej tyre nuk janë përdhunuar. Por, edhe nëse kam pasur marrëdhënie seksuale me njërën nga viktimat, kjo gjë është bërë me vetë dëshirë”, ka deklaruar Popkov.

Megjithatë, buzëqeshja e tij u ndal kur gazetarja Ksenia Zotina e cila po e intervistonte, ia kumtoi lajmin se gruaja e tij tani është në lidhje me inspektorin e policisë Vasili Domoradovi i cili po merrej me rastin e tij.

Në ato momente ai vërtet dukej i nervozuar dhe kështu e pyeti gazetaren: “Kur kanë filluar lidhjen, nëse nuk është ndonjë sekret”.

“Jo… Nuk dua të mendoj për atë dhe të nervozohem. Gjithmonë mund ta gjeni një mendim pozitiv që do t’ju ndihmoj. Ajo nuk duhet ta qoj jetën dëm me një njeri të kotë siç jam unë”, ka shtuar ai.

Sidoqoftë, ai e ka akuzuar gruan e tij për tradhti.

“Ka ndodhur një incident për shkak të pabesisë. Atëherë… nëse mund ta them e kam dërguar në parajsë një burrë të ri”, ka shtuar ai.

Është interesant se si Popkov pa u penduar fare, i ka treguar policisë se si kishte përzgjedhur gratë cilat do t’i vriste gjatë 18 viteve terror që i kishte “dhuruar” rajonin Irkutsk, nga viti 1992 deri më 2010.

“Viktimat e mia kanë qenë ato femra që nuk ishin të shoqëruar natën nëpër rrugë, që ishin veshur me rroba provokative dhe bënin gjeste të pahijshme nëpër rrugë. Ato që nuk janë frikësuar të flasin me mua, të futen në veturë dhe të kërkojnë aventura, që kanë qenë të gatshme të pinë alkool dhe të relaksohen nëpërmjet marrëdhënieve seksuale”, ka deklaruar Popkov.

Ai kishte shfrytëzuar veturën zyrtare të policisë, duke u ofruar transport personave që i dërgonte në zona të panjohura dhe i përdhunonte e vriste.

Këto vrasje kanë ndodhur gjatë periudhës 1992-2010, kurse viktimat ishin të moshës nga 17 deri në 38 vjet. /Telegrafi/