Robbie Williams ka qenë mjaft i relaksuar gjatë intervistës së tij të fundit, për të cilën as që e ka marrë mundimin të vishet. Këngëtari britanik është lajmëruar nga krevati për emisionin Heart Breakfast.
Autori i hitit “Angels” aktualisht është i zënë me promovimin e muzikës së tij të re, pas publikimit të këngës “Lost” që i paraprin albumit, i cili do ta lansohet në shtator.
Duke qenë se ky është albumi i tij i 13-të solo, Robbie është duke e marrë pa ndonjë shqetësim promovimin e albumit – deri në atë pikë sa nuk është ngritur as nga shtrati.
Williams ka folur me drejtuesit e Heart Breakfast këtë javë dhe ky edicion duket se ka qenë një nga intervistat e tij më të çuditshme.
Këngëtari është inkuadruar në emision përmes video-telefonatës duke u shfaqur i shtrirë në shtrat pa rroba në pjesën e sipërme të trupit.
Pasi prezantuesja e pyeti nëse ishte krejtësisht i zhveshur, 48-vjeçari pranoi se ishte dhe bëri shaka me prezantuesit se mund t’ua dëshmonte këtë.
Gjatë bisedës, ish-ylli i “Take That” ka folur edhe për lidhjen me aktoren Ayda Field, me të cilën është i martuar nga viti 2010.
Ai ka thënë se bashkëshortja e bën vazhdimisht të qeshë, duke qenë se komedinë e ka edhe profesion, ndërsa ka theksuar se marrëdhënia e tij me 43-vjeçaren lëviz nga një skaj në tjetrin duke i përfshirë situatat e zakonshme të një çifti. /Telegrafi/