Telegrafi

Intervista e afaristit të njohur kosovar para se të ndërrojë jetë

Kjo është njëra nga intervistat e dhëna nga afaristi i njohur kosovar Durmishali  Smani para se të ndërrojë jetë.

Sot kjo kompani me një eksperiencë të gjerë vazhdon të jetë e pranishme në tregun e Kosovës dhe të ofrojë shërbimet e sistemeve të radioelekomunikimit, radio sistemeve mikrovalore, sistemeve të përkthimit simulant dhe konferencial, CCTV, kontrollit të qasjes dhe sistemeve të sigurisë. Durmishali Smani, një inxhinier i telekomunikacionit me një eksperiencë të gjerë dhe me trajnime të shumta, ka ndarë me CIO Albanian disa prej momenteve më të rëndësishme të zhvillimit të biznesit të tij dhe të vetë karrierës së tij në industrinë e teknologjisë informative.

 

CIO: Kur është themeluar Elting Electronics?

Smani: Elting është themeluar në vitin 1984. Emri ka nënkuptuar Elektronikë – Telekomunikacion-Nova Gradiska, që nënkuptonte selinë në Kroaci. Edhe pse e themeluar në një periudhë të hershme kohore, Elting ka qenë shoqëri aksionare, gjë që e bënte sa bashkëkohore por aq edhe të çuditshme. Kontakti im i parë me Elting ka qenë punësimi im në përfaqësinë e tyre në Prishtinë, për tregun e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Pastaj ngritja, shkollimi, avancimet profesionale, që janë mbështetur gjithnjë nga vetë kompania, e cila ka shtyrë më tej avancimin e kuadrove, kanë mundësuar një specializim të mëtutjeshëm në pajisjet e radiokomunikimit. Prej periudhës 1984 deri më 1990, kompania ka qenë vazhdimisht në rritje dhe investime dhe kësisoj Kosova prej një vendi të pazhvilluar në fushën e telekomunikimeve kalon në taborin e vendeve mesatarisht të zhvilluara, pasi ne arrijmë të implementojmë mbi 28 projekte të  jashtëzakonshme, që në atë kohë ishin projekte shumë të mëdha sepse vetëm policia shfrytëzonte radiolidhje. Por ç’ndodhi? Ekonomia pyjore dhe hidrosistemet filluan të komunikojnë shumë më shpejt, pastaj u implementua edhe sistemi i pylltarisë, që ishte më i suksesshmi sepse çdo rojtar i pyjeve në Kosovë u pajis me radiolidhje dhe rrjedhimisht prerjet e pyjeve u zvogëluan në minimum.

 

CIO:  Por pas periudhës së viteve ‘90 çfarë ndodh?

 Smani: Të gjithë punëtorët shqiptarë dëbohen nga puna dhe ne mbesim në ajër. Në vitin 1990 nis lufta në Kroaci dhe Elting fillon të pësojë rënie. Në vitet 1990-1992, ne nisëm aktivitetin për ta bartur kompani në në Shqipëri, por kjo nuk na solli sukses edhe pse patëm takime me zëvendësministra e investitorë. Në vitin 1992, qeveria e Serbisë konfiskon të gjitha pajisjet e njësisë punuese, nën pretekstin se është në gjendje lufte me Kroacinë. Në atë kohë, për shkak se kishte edhe probleme në komunikim, unë shkoj në Stamboll dhe bëj një telefonatë për të kërkuar leje nëse është e mundur themelimi i një ndërmarrjeje me të njëjtin emër, për shkak se ne arritëm një zhvillim marramendës dhe një kujdes tepër të madh ndaj partnerëve dhe ndërrimi i emrit nuk paraqiste një hap të mirë. E morëm aprovimin dhe kështu krijohen kushtet për transformimin e kompanisë nga shoqëri aksionare në ndërmarrje private. Më 14 prill 1993, zyrtarisht legalizohet vazhdimësia e traditës. Mirëpo lindin probleme të tjera. Telekomunikimi, radiokomunikimi e fushat e tjera të kësaj natyre nuk toleroheshin si veprimtari për shqiptarët në periudhën e pushtuesit serb.

Arsyeja ishte se kishte qasje në sistemet e komunikimit, që janë sisteme të ndjeshme. Këto sisteme kanë qenë aq të ndjeshme, saqë është dashur leje pune nga niveli qendror në Beograd për të vepruar. Ne shkuam në drejtim të ofrimit të disa produkteve të cilat i njihnim shumë mirë dhe mund t’i ofronim për ndërmarrjet e atëhershme, si Posta e Elektro-Kosova dhe gjithashtu u përqendruam edhe në mirëmbajtjen e sistemeve ekzistuese. Në vitin 1993 startojmë me diçka krejt tjetër dhe më të vogël, si alarme shtëpiake, centrale të vogla telefonike për firma shqiptare, alarme për vetura dhe më pas gradualisht lind revolucioni i antenave satelitore dhe kështu bëhemi edhe implementuesit më të mëdhenj të antenave satelitore për familjet shqiptare.

Pastaj vjen periudha e komunikimit me telefonat pa tel. Ne ishim të vetmit që kishim njohuri në këtë fushë.

CIO: Kur filloi rikthimi në veprimtari?

Smani: Kthimi në veprimtari fillon në periudhën 1998-1999, kur kompanitë e njohura serbe na angazhonin të ekzekutonim projekte. Arritëm të ekzekutojmë projekte në Nish, Kragujevc e Beograd, që praktikisht për atë kohë ishte diçka absurde që një ekip shqiptar të shkonte dhe të montonte një central telefonik në këto vende. Por me një kuadër fenomenal dhe të shkolluar në Kroaci, që ishte pjesë e kompanisë, kjo sigurisht ishte e mundur. Deri në vitin 1999 ka qenë një lëvizje graduale, por më shumë e përqendruar në sektorin privat. Në vitin 1998 ne ishim edhe implementues të projekteve madhore të OSCE-së, pasi të gjithë qendrën kryesore të OSCE-së e kompletuam ne. Për ta dhe për ne ishte një mburrje që po punonim centrale telefonike me kapacitet maksimal, prej zero me çelësa në dorë. Më 24 mars, me 9 punëtorë sa ishim në atë kohë, para se të bombardonte NATO ne kemi përfunduar instalimin e centralit telefonik. Ne e dorëzuam dhe e funksionalizuam qendrën duke respektuar kontratën. Kjo paraqiste një përfundim mbresëlënëse dhe të bukur për ne. Por të mos harrojmë se vuajtjet gjatë këtyre periudhave kanë qenë vërtetë të tmerrshme.

 

CIO: Nga rikthimi në veprimtari në shkatërrim total?

Smani: Në vitin 1999 ndodh tmerri i dytë. Ne shkatërrohemi tërësisht. Na plaçkiten të gjitha nga “kolegët” tanë prej kompanive serbe, të cilët operonin në Prishtinë; plaçkiten depot, veturat e dokumentet. Për shkak se ekzekutonim punë për OSCE-në dhe për disa organizata të tjera joqeveritare ndërkombëtare, ne kishim në dispozicion disa pajisje shumë të sofistikuara në telekomunikim, që ishin shumë tërheqëse për t’u plaçkitur. Më pas shoh vetë se si ndodh çdo gjë dhe me 15 prill ndodhem sërish në telashe me autoritetet dhe dëbohem nga Kosova. Më pas fillon një periudhë e mirë, kur filloj punën si menaxher i servisit për Ericsson Plaza në Stamboll, një qytet me 14 milionë banorë. Ishte një përvojë mjaft e avancuar. Pas një periudhe prej dy muaj e gjysmë përfundoi lufta dhe kërkova që ta lë punën dhe të rikthehem në vendin tim. Në anën tjetër, sapo hyri NATO në qytet, punëtorët e mbetur hapin kompaninë, bëjnë dokumentimin e nevojshëm për të treguar se ç’është dëmtuar e plaçkitur dhe me pak nisin punën.

 

CIO: Si ishte ambienti i punës në periudhën e pasluftës?

Smani: Pas kthimit nga Turqia nisin sfidat e vërteta sepse brenda natës bëhemi 25 veta dhe puna rritet. Pas një kohe të shkurtër arrij të vërej që diçka nuk po shkon si duhet dhe diçka nuk po përputhet. WIFI nga Austria dhe USAID fillojnë me disa trajnime dhe unë vendos t’i ndjek ato. Prej vitit 1999-2001, nuk ka pasur nevojë për trajnime sepse çfarëdo që të vendosësh në shitje është e pranueshme. Por më pas nisin projektet si riinstalimi i centralit, ridefinimi i rrjetit, ridefinimi i rrjetit të telekomunikimit, etj.

Më pas fillon edhe segmentimi i kompanisë në profilin më të përshtatshëm. Mendohemi ku jemi më të mirët dhe kthehemi tek radio-komunikimet, por fusha që kemi njohur më mirë ka qenë instalimi dhe mirëmbajtja e centraleve telefonike shtëpiake. Pastaj vjen tërheqja nga sistemi i ofrimit të antenave satelitore individuale dhe kalimi tek ofrimi i zgjidhjeve për bizneset, përkatësisht për institucionet qeveritare.  Ne ofrojmë zgjidhje të videombikëqyrjes, detektimit e menaxhimit të resurseve humane, madje edhe sot vazhdojmë të mundohemi ta rrumbullakojmë këtë spektër si tërësi. Vitet 2004-2005 paraqesin vitet e kthesës, pasi përfundimisht futemi në disa binarë: në radiokomunikim, mikrovalor, komunikime pa tela e zgjidhje për biznese e institucionet, duke u avancuar me trajnime në SHBA e Evropë dhe kësisoj krijojmë identitetin e kompanisë.

 

CIO: Edhe sot vazhdon puna në këtë drejtim?

Smani: Ne arrijmë në pikën që nënkupton ose praninë e të huajve ose praninë tonë në tregun e Kosovës. Me investime të konsiderueshme ne arrijmë të jemi të barabartë me konkurrencën ndërkombëtare dhe ky është synimi ynë i vazhdueshëm. Vitin e ardhshëm do të tentojmë të kemi në treg një shërbim shumë aktual në botë, por të cilin konkurrenca ka dëgjuar apo është duke dëgjuar, ndërsa ne do ta ofrojmë.

Fokusimi ynë deri më sot ka qenë sistemi i prokurimit, projektet qeveritare dhe joqeveritare për ndërkombëtarë e vendorë përmes partnerëve tanë si Motorola e Panasonic. Përgatitja jonë në mirëmbajtje dhe në ofrimin e shërbimeve pas shitjes shfaq pastaj një rol edhe më të efektshëm. Edhe pse për shkak të kualitetit ka një nevojë për mirëmbajte të vogël, në Kosovë është politika që thekson se produktin nuk e shet çmimi por mirëmbajtja. Është interesant të theksohet se ne ofrojmë mirëmbajtje edhe pas pesë vitesh; edhe për ata që dëshirojnë të zgjerojnë biznesin duke ndryshuar pajisjet, nëse i kemi partnerë, mundësojmë kthimin e sistemit të vjetër dhe ofrimin e një sistemi të ri.

 

 

CIO: A ka ndikuar përvoja dhe vetë prezenca e gjatë e kompanisë suaj në treg për të qenë me më shumë përparësi?

Smani: Përvoja e kompanisë ndikon në respektin mes kompanive. Ne kemi bashkëpunim të fuqishëm me kompanitë më me famë në fushën e IT-së dhe të telekomunikacionit, edhe partnerët e vjetër si Comtrade e Cacttus, Inter Adria  etj., gjithashtu edhe kompanitë e tjera që janë anëtarë të Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit, vazhdojnë të kenë një respekt të veçantë reciprok. Në anën tjetër, partnerë seriozë ndërkombëtarë që na kanë përkrahur vazhdimisht janë pa dyshim Motorola, pastaj Panasonic, Brahler, Televic, Ceragon, Radwin etj., pastaj vijnë kompanitë e tjera dhe në të ardhmen pritet të kemi si partner një kompani të specializuar në mbrojtje dhe siguri. Në anën e klientëve kemi qeverinë e Kosovës, ministritë, policinë e Kosovës dhe gjithashtu edhe në Aeroportin e Prishtinës kemi pasur disa  projekte interesante. Edhe me operatorët e telefonisë mobile kemi disa bashkëpunime, si me Vala e IPKO. Me IPKO kemi pasur shumë kontrata të suksesshme dhe mund të them se katër shtyllat e para të kompanisë IPKO janë ekzekutuar nga kompania jonë.

 

CIO: Nëse bëjmë një krahasim të zhvillimit të tregut prej vitit në vit, si e shihni situatën?

Smani: Tregu është vazhdimisht në zhvillim, por kjo varet prej investimeve, siç varet edhe kompania jonë prej tyre. Ne mund të zhvillohemi po aq sa rriten investimet, derisa në të ardhmen e afërt kur mendojmë të orientohemi në tregun e sektorit privat.

Por ende jo për shkak të kushteve afariste, të cilat nuk i përkasin mentalitetit të menduar prej nesh.

 

CIO: Fokusimi i tanishëm mbetet tregu i Kosovës?

Smani: Për momentin Kosova, por edhe jashtë saj sepse ne edhe eksportojmë. Eksporti është në masë shumë i limituar, por shpresojmë në rritjen e tij. Kjo ndodh për shkak të ekskluzivitetit që kemi për disa produkte për tregjet e rajonit. Kompania tani numëron 18 punëtorë dhe mesatarisht çdo dy vite, bazuar në përqindje të rritjes së kompanisë, kemi një punëtor të ri, që nënkupton se gjasat për rritje të biznesit dhe shtrirje të mëtutjeshme janë të pranishme.

 

CIO: Cili do të ishte projekti më i veçantë që mund të theksoni?

Smani: Projekti me Policinë e Kosovës është ndoshta njëri prej më të rëndësishmëve që kemi punuar deri më sot, në të cilin kemi investuar mjete e kohë për të rritur kapacitete vetëm e vetëm për të mos angazhuar inxhinierë dhe punëtorë nga jashtë. Pra, të rritemi vetë për ta ekzekutuar atë projekt. Për një institucion të ndjeshëm angazhimi i një partneri ndërkombëtar për mua ka qenë paksa abstrakt, por në kthim megjithatë kemi krijuar diçka të përkryer. Pastaj kemi projektin e implementimit të paneleve informative në Aeroportin e Prishtinës, kur në rajon nuk ka pasur diçka të tillë asnjë aeroport, as në Shqipëri, as në Maqedoni e as në Serbi.

Pastaj edhe ID kartelat e aeroportit, që deri më sot janë absolutisht të pathyeshme, paraqesin një projekt tjetër të rëndësishëm.

 

CIO: Cili mbetet synimi për të ardhmen?

Smani: Pasi të krijohen disa kushte ekonomiko-fiskale, ne do të shkojmë tutje në treg dhe ne do të bëjmë hapa tutje edhe në prodhim. Pa strategji për përkrahjen institucionale, me politika fiskale nga MEF-i dhe nga sistemi bankar në sferën e kreditimit të NVM-ve, ne mendojmë se është vështirë të jemi konkurrentë me produkte tona, pra kur sistemi fiskal dhe përkrahja qeveritare të arrijnë në nivel për t’u barazuar me kushtet si në shtetet  e rajonit për sa i përket prodhimit, kur dihet se prej dizajnit deri te prodhimi kalojnë 6 deri në 9 muaj. Duke llogaritur mundësitë momentale që dogana dhe TVSH mund të presin gjer në finalizim të produktit për treg, shfaqet problemi tjetër: duhet të paguhet kredia bankare, por interesat janë në nivelin 15%.  Pra, po kalohen dy probleme dhe shteti po i krijon mundësitë që dogana dhe TVSH-ja të barazohen pas shitjes, por kush do ta paguajë kredinë? Të mos harrojmë edhe problemin e transportit, pasi për momentin jemi të kufizuar në transport ajror dhe rrugor, të dyja të shtrenjta. Me shpresë se në një kohë shumë të shkurtër do të avancohen në formë institucionale disa nga problemet e përmendura, edhe qasja jonë në realizimin e synimit për të hyrë në treg me produkte të finalizuara në Kosovë do të bëhet realitet. /Telegrafi/