Telegrafi

Intervenimi profesional rikthen në gjendje normale shëndetësore dy të rinj kosovarë

Ardian Bezeraj, 37 vjeçar nga Peja, ankohej për dhimbje të forta dhe shtrëngime të njëpasnjëshme gjoksi me frymëzënie. Pas përkeqësimit të gjendjes, pak para se të pësonte vdekje klinike (fibrilacion ventricular), ai u këshillua nga mjekët në Spitalin e Pejës të bëjë koronografi urgjente. Me anë të intervenimit urgjent dhe me anë të shokut elektrik, mjekët specialistë në Spitalin e Pejës arritën të zgjojnë Ardianin i cili në gjendje kritike u dërgua në Prishtinë në Spitalin Medicine për intervenim.

Gjatë rrugëtimit në Prishtinë, atij iu përkeqësua gjendja dy herë radhazi, me ç’rast me anë të intervenimit me defribilator të shërbimit emergjent të Spitalit Medicine, që edhe transportonte pacientin, Ardiani arriti të mbijetojë.

“Pas analizave primare vlerësuam që pacienti ballafaqohej me ngushtime të arterieve koronare që rrezikonin vdekjen e qelizave të muskulit të zemrës, gjë që mund të shkaktonte sulm në zemër. Ne arritëm të intervenojmë në momentin e fundit dhe të rikthejmë pacientin në jetë dhe në të njëjtën kohë të eliminojmë të gjitha rreziqet e mundshme.”, deklaroi dr. Cakmak.

Në zemrën e Ardianit ishte vendosur një stendë për të mundësuar procesin e qarkullimit të gjakut dhe të furnizimit të fibrave të muskulit të zemrës me gjak.

Sipas dr. Cakmak, raste të tilla në Spitalin Medicine trajtohen çdo ditë, por më të veçantë këtë rast e bën mosha e re e pacientit dhe niveli i sulmit dhe përkeqësimi i vazhdueshëm i gjendjes.

“Intervenimi në zemrën e pacientit zgjati rreth 30 minuta dhe aktualisht ai është jashtë rrezikut për jetë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.”, deklaroi prof. dr. Cakmak, kardiologu i njohur nga Turqia i cili pas veti ka mbi 40,000 intervenime të suksesshme dhe profesionale në një periudhë 15 vjeçare në Turqi dhe dy vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kosovë, gjatë katër viteve të përvojës në Spitalin Medicine, prof. dr. Cakmak barti përvojën e tij profesionale duke realizuar në mënyrë të suksesshme mbi 5,000 intervenime në zemër.

Në Spitalin Medicine, po të njejtën ditë të 31 gushtit, specialistët e këtij spitali kishin kryer intervenim emergjent tek Driton Miftari, 41 vjeçar nga Prishtina. Me po të njëjtat probleme shëndetësore si pacienti i mëparshëm, Dritoni ishte dërguar për intervenim dhe vendosje të stendës. Dritoni pas intervenimit është jasht rrezikut për jetë dhe në gjendje normale.

“Me ndihmën e specialistëve përkatës në kardiologjinë invazive në Spitalin Medicine ofrojmë shërbime cilësore me qëllim të shpëtimit të jetës së pacientëve në raste emergjente dhe jemi të përgatitur profesionalisht që t’u ndihmojmë pacientëve në mënyrën më të mirë të mundshme.”, deklaroi prof. dr. Cakmak në fund të bisedës.

Shërbimet profesionale dhe të cilësisë së lartë janë veçori që karakterizojnë Spitalin Medicine, i konsideruar një ndër spitalet më të mira në rajon. Me një ekip të mjekëve me përvojë të gjatë në lëmenj të ndryshëm dhe me pajisje moderne, qytetarët e Republikës së Kosovës tani mund t’i drejtohen Spitalit Medicine për shërbime të reja që më herët nuk ofroheshin në vendin tonë dhe që detyronin qytetarët të udhëtojnë në vende tjera për shërim. /Telegrafi/