Nëse rastësisht mendoni me e vizitu shtetin e Floridës, në SHBA, mos provoni me e lidhë elefantin për orën e parkimit të veturave! Dijeni se do të paguani sikur të kishit parkuar një automobil. E nëse shkoni në Atlantë, nëse në të njejtën mënyrë doni të veproni me gjirafën… mos e bëni këtë. Është e ndaluar me ligj, që kjo shtazë ekzotike me qafë të gjatë, të lidhet në vendparkim!
Nuk po tregoj barcoleta. Janë ligje! Këto ligje ende janë në fuqi në këto shtete dhe nëpër media përfolen si kuriozitete.
Po lexoja kështu kuriozitete, në këtë monotoni të krijuar nga bllokimi i Parlamentit! E kuptuam këto ditë se ligjvënësi në këtë vend nuk i beson rinisë, por e lë fatin e vendit në deputeten më të moshuar e cila as për një çast nuk ia lëshon karigen deputetes më të re.
Nejse, krejt muaji më iku me kuriozitete. Pra, po lexoja për një ligj tjetër të çuditshëm, kësaj radhe në Britani të Madhe. Nëse dikush, qoftë edhe si vizitor rasti, vdes në ndërtesë të Parlamentit britanik, ai domosdo do të varroset me shpenzime të shtetit. Madje edhe me nderime të larta shtetërore! Kështu, sigurimi i ndërtesës duhet të jetë gjithnjë i vëmendshëm! Nëse dikujt i bjen të fiktë brenda Parlamentit, ata për preventivë duhet të ngutën që të njejtin me e nxjerrë jashtë, sa më shpejt. Nuk i dihet!
Ky ligj thuhet të jetë ende në fuqi, në njërin nga vendet me demokraci më të zhvilluar në botë, ku si po shihet ende ka ligje të tilla që të bëjnë me qesh. Por, askush nuk qeshet. Nuk jepen statistika, por gjithsesi njëherë do të ketë ndodhur diçka e tillë! Prej andej ligji! Ligjet e tilla flasin për natyrën pragmatike të ligjvënësve në këto vende! Është paraqitur problemi dhe e kan nxjerr normën! Kështu, dikush e ka lidhur elefantin… dhe, sot e kësaj dite ligji vepron si preventiv! Mos e lidhni… as gjirafën, urdhëron ligji! Ata, nuk e lidhin!
Duke e njohur maninë e kopijimit të ligjeve, dhe ekspertët e shumtë të UNMIK-ut të sjellur nga vende me përvojë të begatë demokratike nga Afrika apo Azia të cilët na patën ndihmuar në fazën e parë pas çlirimit, nuk do të çuditesha po të përvidhej në ligjet tona edhe ndonjë ndalesë për elefantë, gjirafa apo ndonjë luan. Deri tani jemi mirë ! As kemi tentuar të lidhim elefantin për shtylle elektrike, se orë parkimi nuk kemi, e as ndonjë gjirafë nuk e kemi angazhuar për të lexuar orët e rrymës, nga të cilat shkarkohen faturat astronomike. Pastaj, ne orët e rrymës i mbajmë lart! Por… këtu nuk po flasim për ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, sepse ligj ka, por… treg nuk ka! Ka, monopol!
Nejse, po flisnim për ligjet e çuditshme, të cilat megjithatë për ndonjë arsye i kanë mbijetuar kohës edhe pse duket krejtësisht absurd fakti se janë nxjerrë ligje të tilla. Por… ende nuk kemi filluar të flasim për ligjet ose Kushtetutën, në vendin tonë! Fillimisht do të ishte me rëndësi preventiva për Parlamentin. Kjo nuk vlen për vizitorët! Vlen vetëm për deputetin më të moshuar. Përgjithësisht deputetët janë të shenjtë, si pat thënë njëher një ish deputet për ish kolegët e tij, gazetarët. Janë të privilegjuar. E sidomos më i/e mushuara! Siç e kemi parë, kjo është rregulluar edhe me Kushtetutë! Kështu thonë interpretuesit tone të ëndërrave, ups, të normave kushtetuese! Një deputet/e fal moshës së thyer mundet lirisht me e hup ndjenjën e masës dhe të kohës dhe me e zgjat seancën sikur Shehrezadja rrëfimin në përrallat e 1001 netëve.
Por, për të gjithë që Parlamentin e shohin si fushë të luftës ku me të gjitha mjetet duhet “vrarë” pala tjetër, kjo është një zbrazëti, një pistë ligjore mbi të cilën munden me vallëzue hareshëm interpretuesit tonë zyrtarë të ëndërrave. E karriga e drejtuesit të Parlamentit, paraqitet si barikadë e cila duhet të mbahet me çmimin e jetës. Pra, kushdo që jep shpirtë duke e mbrojtur pushtetin… po e dini tashmë për çka është fjala!
Por, ne nuk u besojmë ligjeve! Krejt i rregullojmë me kushtetutë! Këtë e ka bërë të mundur Kushtetuta më e komplikuar në botë e krijuar prej një hibridi ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë për konservimin e krizave. Se krizat ndërkombëtare janë biznes që financohen nga buxheti ndërkombëtarë. Janë para për të cilat nuk jep llogari askush. Në fakt, një krizë që zgjidhet shpejt nuk është krizë që ja vlen! Ne nuk merremi me elefantë dhe gjirafa! Ne e lidhim shtetin për sahatin… e KEDS-it. Edhe të partisë!
Pra, te ne e shenjtë është Kushtetuta! Sikur gjithë librat e shenjtë, nga kjo jetojnë edhe interpretuesit. Kushtetuta do të duhej të ishte një kulm mbi të gjithë, pra një normë që e pëfaqëson dhe mbron interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Por jo, krejt është… interpretim? Deshta të them, obligim kushtetues! Është e paraparë me Kushtetutë, Flora!
Ata që janë në pushtet, për shembull, janë bërë të sofistikur! Nuk e shkelin Kushtetutën kurrë. Edhe nëse e shkelin, ata nuk e shkelin! Sepse, vet e interpretojnë!
Kushtetuta jonë është e re, në moshë! Megjithatë, me një biçikletë fëmijësh e kanë nxjerrë në rrethrrotullimin tonë (para)politik! Po e interpretojnë sipas dëshirës! Kështu, sido që të rrotullosh globin mbi tavolinën tuaj, ana qeveritare do të jetë e shëndritur nga Dielli! Cilën dalje të kapësh përsëri del deri te një rrethrrotullim tjetër. Opsesioni i shtetit me rrethrrotullimet ka bërë një ndërveprim me semaforët i cili domosdoshmërisht krijon kaos. Derisa në rrethrrotullime kalon i forti, në semafor kalon vetëm nëpër dritë të gjelbër. Ky kombinim i rregullave me anarkinë e kontrolluar ka prodhuar bllokadë institucionale.
Mos u dëshpëroni, ky nuk është rregull global! Por, së paku kështu ndodhë te ne. Ka vende ku Kushtetutat janë të thjeshta dhe të qëndrueshme, dhe nuk është aq e komplikuar sikur te ne, aq sa duhen interpretues me imagjinatën e shpjeguesit të ëndrrave. Është e tillë dhe nuk e ndërron dot, sepse ligjvënsit janë kujdesur që ruana zot, mos me ra vendimmarrja te qytetarët. Se qytetarëve nuk u zihet besë! Qytetarët te ne gjithnjë janë të dyshimt për diçka! Dikur për nacionalizëm dhe irredentizëm, ateizëm, e tani për islamizëm!
“Armiku i jashtëm” te ne gjithnjë ka qenë më i fuqishëm se i mbrendshmi dhe na ka mashtrua! Kështu që, shpesh kemi votue kundër vetes! Nuk bën me rrezik!
Kështu, ka ligje të atilla të cilat fillimisht të bëjnë me qeshë dhe kur e kupton se ato janë në fuqi edhe në vende me demokraci të zhvilluar… nuk qesh më! Byrokracia është fuqi e verbër e cila e tejkalon vullnetin e qytetarëve. Mos qeshni! Mos e lidhni elefantin për orën e parkimit e as gjirafën pranë orëve të KEDS-it! Ups, pranë orëve të parkimit, po mendoja! Kanë thënë: “Ku dhemb dhëmbi…”!
Edhe demokratët kinezë sikur ne: më 2007 sollën një ligj i cili klerikëve budistë të Tibetit ua ndalonte reinkarnimin! Por, te ne nuk bën punë! Po mendoja me vete: kush janë qeveritarët tanë? Reinkarnim i kujt?
Jo mor jo! Te ne ka demokraci! Sidoqoftë, mos e lidhni deven për semafori, se… ngatërrohen ngjyrat!