Burime nga policia thanë se listat e mbërritura në Durrës nga Interpoli gjatë viteve të fundit bëjnë fjalë për disa mijëra automjete të vjedhura në vendet e Europës e që mendohet se gjenden në vendin tonë. Sipas statistikave të Interpolit, rezulton se për çdo vit në Europë vidhen 500 mijë automjete, prej të cilave, 200 mijë nuk gjenden më. Listat e makinave të vjedhura janë të pasqyruara në sistemet e instaluara edhe në kompjuterat e policisë kufitare.
Këto lista janë freskuar së fundmi me 150 automjete të tjera të vjedhura që mendohet se kanë hyrë në territorin tone. 90 për qind e makinave që hyjnë në territorin e vendit tonë kalojnë nëpërmjet portit detar të Durrësit.
Ndërkohë, struktura kundër krimit financiar në policinë e Durrësit në bashkëpunim me homologët e sektorëve të tjerë, kanë kryer arrestimin e tre personave.
38-vjeçari, Gentian Bilali, banues në qytetin e Durrësit, u arrestua pasi gjatë kontrollit që iu bë në automjetin e tij të markës “Volkswagen” rezultoi se dokumentacioni i automjetit ishte i falsifikuar dhe targa i përkiste një mjeti tjetër. Ai akuzohet për falsifikim vulash, stampash e formularësh. Automjeti u bllokua nga forcat e policisë, raportoi BW.
Ndërkaq 2 persona të tjerë u proceduan se futën në territorin tonë mjete, të cilat rezultojnë të vjedhura jashtë vendit. 47-vjeçarja R.B., banuese ne fshatin Bukaq, Kavajë, po procedohet penalisht në gjendje të lirë pasi është paraqitur para kontrollorëve të policise kufitare të portit të Durresit me motorçikletën ´Kawasaki´, i cili nga verifikimet e kryera rezultoi i vjedhur në Itali më datën 2 maj 2010. Po ashtu, në gjendje të lirë, u procedua edhe 27-vjeçari M.M, banues në Spille të Kavajës, pasi paraqiti për regjistrim pranë shërbimeve të policisë kufitare, mjetin “Benz 220 CDI”, i cili rezultoi i vjedhur në Itali më datën 2 tetor 2010. Në të dyja rastet, u krye bllokimi i automjeteve dhe dokumentacionit të tyre për ndjekje prokurorisë së rrethit, Durrës./Telegrafi/