INTERPOLI deri tek Policia e Maqedonisë ka dorëzuar një listë me emra dhe të dhëna për 60 persona që konsiderohen si tifozë të rrezikshëm dhe problematik. Ministria e Punëve të Brendshme për ta ka lëshuar ndalesë për hyrje në shtet deri në përfundimin e ndeshjes së Super Kupës.
Në listë gjenden persona me qëndrime ekstreme, tanimë të regjistruar si persona të rrezikshëm dhe shkelës të ligjeve sportive edhe në ngjarje tjera publike, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Mes të rrezikshmëve sipas INTERPOLI-t, ka persona nga vendet evropiane si Spanja dhe Anglia (prej nga janë edhe pjesëmarrësit në Super Kupë), por ka edhe nga vende tjera si Greqia, Serbia, Kosova dhe Kroacia.
Një person nga lista e Interpolit gjatë ditës së djeshme ka tentuar të futet në Maqedoni, por pas verifikimit se ai është në listën e ndalesës, i njëjti është kthyer pas.
Për sigurinë e Super Kupës kujdesen mbi 2 mijë policë të Maqedonisë, ndërsa ndihmë teknike dhe informacione policia merr edhe nga shërbimet e vendeve fqinje./Telegrafi/