Site icon Telegrafi

Interneti, të rinjtë dhe “diktatura dixhitale”

Zhvillimi teknologjisë dixhitale, zgjerimi i rrjeteve sociale dhe përfshirja masive e njerëzve, sidomos e të rinjve në to, është një fakt i pamohueshëm. Qoftë në vështrimin sasior apo cilësor. Padyshim ato janë faktorë me efekte të brendshme e të jashtme në jetën e shoqërisë, me ndikime radikalisht të dukshme në ndryshimin e formave të sjelljes së të rinjve tanë. Nëse vlerësojmë objektivisht atë që ka ndodhur në përmbajtjen e shkollës shqiptare dhe lidhjet e marrëdhëniet e të rinjve me të, në mënyrë evidente dallojmë se krahas aktivitetit më të rëndësishëm që është mësimi, tani është shtuar edhe fenomeni i lidhjes, ndërveprimit individual dhe grupe shokësh përmes celularëve dhe komunikimit të pandërprerë përmes internetit. Padyshim raportet e nxënësve, adoleshentë e të rinj me internetin janë të kondicionuar nga shumë faktorë.

Me natyrë sociale dhe individuale, që në thelb kanë sjellë konceptime të diferencuara të qëllimeve, formave dhe mënyrave të lidhjes dhe përdorimit të teknologjisë. Ideja fillestare se interneti do hapte për të gjithë të rinjtë “vetëm botën e përbashkët të dijes”, duket se nuk po vërtetohet. Ideja se interneti do shërbente si mjet për të ngushtuar dallimet midis të rinjve në fushën e dijes, mundësive të arsimimit personal, jo vetëm nuk po vërtetohet, por gjithnjë e më shumë po bëhet një “pritmëri e dyshimtë”. Ka fëmijë, adoleshentë dhe të rinj që e përdorin internetin dhe kapacitetet informuese të tij për qëllime të mira, shtim dhe thellim të njohurive, ashtu sikurse po ndodh për fat të keq, që një masë e madhe prej tyre po e përdorin thjesht për argëtim, thashetheme, bullizëm apo synime akoma më banale e të rrezikshme me natyrë seksuale apo edhe kriminale. Sidomos vartësia nga celularët është më e theksuar tek adoleshentët, vartësi e cila shoqërohet shpeshherë me depresion dhe performancë të ulët në shkollë.

Ato kanë krijuar një njeri, i cili po mësohet me tekat e modës apo skandalet e radhës, që ndjek përmes rrjeteve sociale, të cilat i bëjnë më pak përshtypje se në të kaluarën e botës së mbyllur e pa teknologji të komunikimit ‘online’. Është fakt që teknologjia, celulari, rrjetet sociale i kanë bashkuar veçanërisht të rinjtë tanë me botën në mënyrë të pakthyeshme. Ky realitet ka sjellë një gjë që tri dekada më parë ka qenë blasfemi, realisht e paimagjinueshme, sepse “…individët e të njëjtit brez shpesh do kenë më shumë të përbashkëta me individët e të njëjtit brez në kulturat e tjera sesa me brezat më të vjetër në kulturën e shtetit të tyre”. [Ligjet e natyrës njerëzore”, f. 544]

Nuk ka dyshim që shoqëria shqiptare është përballë një realiteti të ri, në të cilin interneti është bërë një faktor ndikues në jetën e të rinjve. Përparimet teknologjike të kohëve të fundit dhe komunikimi dixhitalizuar kanë ndryshuar mënyrën si ndërveprojnë, lidhen dhe komunikojnë sot të rinjtë tanë.

Në shkolla dhe ambiente të jetës rinore janë shtuar së tepërmi rastet e konflikteve, dhunës, bullizmit, ngacmimeve seksuale e plot forma të tjera moshore të fenomenologjisë së konfliktualitetit. Problemi është se shumica e konflikteve nuk janë me natyrë fizike, por në formën e agresionit relacional moshor, që synon dëmtimin e reputacionit, cenimin e personalitetit. Shumë shqetësues dhe me pasoja jo të lehta shfaqet “agresioni relacional”, që ushtrohet nga të rinjtë përmes internetit. Një ngacmim që është i vështirë të zbulohet nga prindërit dhe mësuesit, sepse ai realizohet në fshehtësi, me një të lëvizur të mausit. Studimet që janë bërë për sigurinë e fëmijëve dhe teknologjitë ‘online’ kanë treguar se burimi më i madh i rrezikut, me të cilën përballen fëmijët në internet nuk është aq shumë pornografia, por mesazhet reciproke me përmbajtje dhe ngacmim seksual. Në këtë aspekt ndikimi më i madh është ai i agresionit relacional moshor, që përgjithësisht realizohet përmes lidhjeve që fëmijët dhe adoleshentët kanë dhe krijojnë përmes rrjeteve sociale.

Ndikimi e internetit dhe rrjeteve sociale në personalitetin e të rinjve dhe adoleshentëve është me efekte emocionale jo të zakonshme. Shikoni fëmijët kur komunikojnë në internet dhe rrjetet sociale: disa ndihen të gëzuar e fitimtarë nga rezultatet e lidhjeve ‘online’, shumë të tjerë janë të acaruar e tejet të dëshpëruar nga ngacmimet apo dështimet komunikative. Disa kanë perceptimin se përmes rrjeteve sociale, sasisë dhe intensitetit të komunikimit kanë pasur mundësinë për t’u bërë “persona publikë, të famshëm, influencues” në shoqërinë e tyre moshore. Ndërkaq, për të njëjtën arsye disa të tjerë, ndihen të dëshpëruar, janë në gjendje ankthi e të shqetësuar nga disfatat konkurrenciale apo mospëlqimet moshore.

Këto ekstreme po bëhen shkak që të shfaqen disa dukuri shqetësuese në këtë grupim të gjerë social sikurse janë fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë, të cilët janë të përfshirë nga anomali psikologjike e sociale, sikurse janë ankthet, dëshpërimi, pasiguria te vetja, agresiviteti, ndjenja e hakmarrjes etj.. Ka studime social-psikologjike që kanë treguar se përdorimi i tepruar i internetit dhe rrjeteve sociale, madje edhe i celularëve për komunikim të pandërprerë telefonik, është njëri nga shkaqet që nxit tek adoleshentët dhe të rinjtë situata të personalizuara të zhvillimit të ndjenjës së brendshme të palumturisë. Psikoterapistja, profesoresha Amanda Foks, është e mendimit se, “…rrjetet sociale shoqërohen me uljen e mirëqenies vetjake dhe me një kënaqësi jetese më të paktë, sepse njerëzit i kanë sytë nga të tjerët me një jetë më të mirë se ata”. [Will Storr, “Selfie – Uni i Unit”, f. 362]

Unë kam analizuar në shumë raste sasinë, intensitetin dhe tematikat e komunikimeve të të rinjve dhe adoleshentëve në rrjetet sociale dhe në mënyrë evidente ndeshet një fenomen në zgjerim. Fëmijët dhe të rinjtë provokohen në internet me biseda mbresëlënëse seksuale të papranueshme për moshën e tyre, shoqëruar me përshkrime të akteve seksuale dhe provokime të hapura për seksualitetin, që janë banalizuar në këtë lloj komunikimi të rrezikshëm anonim, virtual dhe pa fytyrë të personalizuar apo të identifikuar. Të mos harrojmë që edhe fëmijët dhe adoleshentët tanë po jetojnë dhe rriten në këtë shoqëri që është liberale dhe individualiste, në të cilën kemi një përzierje të formave të ngacmimit dhe krimit tradicional me atë elektronik dhe kibernetik. Që është shumë i rrezikshëm dhe i vështirë për t’u kontrolluar.

Sepse sikurse thonë psikologët dhe sociologët, të rinjtë dhe adoleshentët, por jo vetëm ata, marrin për të vërtetë gjithçka që edhe mund të jetë e rreme. Madje, të rinjtë shpesh nuk e vënë fare në dyshim atë që u serviret si e vërtetë nga rrjetet sociale. Për fat të keq, jo gjithnjë të rinjtë dhe adoleshentët e përdorin celularin dhe rrjetet sociale për informacion e kauza moshore të mira. Kjo është situate kur ata po i nënshtrohen asaj situate të përgjithshme, të cilën sociologu Ylvi Harari e quan si marrëdhënie në kushtet e “diktaturës dixhitale”. Natyrisht, problemet nuk janë vetëm për ne, as shqetësime sociale të “mbyllura” e me natyrë nacionale. Sot është bërë fare e qartë se problemet dhe shqetësimet që vijnë nga celularët dhe rrjetet sociale, janë problem global dhe zgjidhjet qoftë ato teknike, sociale apo edukative e kulturore mund dhe do të zgjidhen vetëm globalisht.

Por, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të kemi kujdes për t’u mësuar fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve që të tregojnë kujdes me publikimin e të dhënave personale sikurse janë adresat, llogaritë, lëvizjet etj.. Sepse rreziqet që vijnë nga rrjetet sociale janë të shumta e komplekse materiale, psikologjike e seksuale. I gjithë rreziku qëndron në faktin se lidhjet online kanë aftësi të fshehin thelbin e gjërave dhe të duken jo ashtu sikurse janë në të vërtetë. Kjo situatë lehtëson penetrimin në komunikimin elektronik të kriminelëve, pedofilëve, maniakëve të seksit, mashtruesve. Në këto kushte është e nevojshme të forcojmë sidomos tek fëmijët dhe të rinjtë, kulturën e denoncimit të presioneve materiale apo të formave të ngacmimit seksual. Padyshim problemi i raportit dhe lidhjes midis fëmijëve dhe llojeve më të sofistikuara të celularëve që ata përdorin, është kthyer në një problem serioz social, pedagogjik dhe psikologjik. Madje, sipas sociologëve, celularët në duart e fëmijëve kanë marrë formën e re të “drogës elektronike”, që ka krijuar një vartësi të thellë, gati patologjike në mënyrë të veçantë tek fëmijët, të rinjtë, sidomos te nxënësit e shkollave tona.

Por, problemi nuk është thjesht teknologjik, apo i parë në anën e jashtme të lidhjes së të rinjve apo nxënësve të shkollave me celularin dhe rrjetet sociale. Problemi është më i gjerë. Sepse pasojat që po ndodhin dhe ato që priten të ndodhin në të ardhmen, janë më të thella dhe ndonjëherë edhe të vështira për t’i parashikuar sociologjikisht në mënyrë ekzakte. Ndryshimet e thella, risitë teknologjike në zgjerim kanë efekt social në dinamikën e rritjes, formimit dhe sjelljes së të rinjve tanë. Kjo ka sjellë shtimin e ritmit të jetës dhe përjetimeve të tyre, duke dashur të jenë kompatibël me shokët dhe kolegët e tyre, shoqëruar me koncepte të reja për trajtat, format dhe dinamikat e tyre të vetëpërmbushjes së konceptit që ata kanë për jetën në kohën e sotme postmoderne.

Padyshim, teknologjia dhe rrjetet sociale kanë ndikim pozitiv, në ndryshimin e ritmit të jetës së të rinjve tanë, dëshirës së tyre për të ecur më shpejt dhe në përputhje me dinamikën aktive të kohës së tyre. Por nga ana tjetër, kjo është një nga arsyet pse duket sikur të rinjtë tanë përjetojnë kriza të caktuara ekzistenciale, me veten dhe shoqërinë. Sepse sa më shumë shtohen ritmet e jetës, nevojat dinamike për vetëpërmbushje te të rinjtë, ata aq më shumë ndihen të pasigurt në realizimin e tyre. Interneti dhe rrjetet sociale ndihmon për ta kuptuar këtë situatë dhe veçori dialektike të veprimit kontroversal, që sjell në të njëjtën kohën kuptimin e nevojës për ritme më të shpejta të jetës së rinisë, por që njëkohësisht ky progres teknologjik sjell edhe kriza. Që janë shkaktarë që sjellin jo rrallë vanitet e shpërqendrim të forcave, sensit orientativ tek të rinjtë tanë. Dukuri këto, që janë njëkohësisht ekzistenciale, por njëherësh edhe të kapërcyeshme.

Shumë probleme në jetën e të rinjve dhe adoleshentëve kanë filluar të agravohen pikërisht nga ndikimet e kësaj “diktature dixhitale” që i ka mbërthyer në jetën e tyre të përditshme dhe që në jo pak raste shoqërohet me pasoja individuale psikologjike e sociale, si çrregullimet e gjumit dhe ngrënies, dobësim i funksioneve konjitive, shfaqje të dukurive të depresionit, madje edhe në jo pak raste edhe të prirjeve për vetëvrasje.

 

 

Exit mobile version