Site icon Telegrafi

Intermexo diplomatike në dy epoka!

Në vorbullën e ngjarjeve që vlojnë me tema të nxehta, ia vlen të kthehesh disi prapa në kohë, me reflektimet e duhura, duke nxjerrë në pah aspekte dhe tema pikante; sintetizim i kohëve të kaluara me mësime të dobishme për të tashmen dhe të ardhmen; për të parë se si çuditërisht disa dukuri të këqija dhe të shëmtuara të së kaluarës përsëriten dhe në demokracinë çalamane që kemi ndërtuar këto 30 vjetët e fundit.

Ja disa episode kronologjike të këtij udhëtimi, të cilat i kam përjetuar aktivisht si ekonomist, përkthyes dhe diplomat në dy epoka krejt të ndryshme.

Më 15 Mars 1973, Enver Hoxha mbajti fjalimin: “Si ta kuptojmë dhe si ta luftojmë rrethimin e egër imperialisto-revizionist”. Një “ Hiroshimë” politike me shumë pasoja të rënda që vijuan deri në shembjen e diktaturës. Pas atij fjalimi u ndaluan me ligj të gjitha shfaqjet e huaja dhe liberale, gjoja pasojë e rrethimit imagjinar – flokët e gjata, mustaqet, mjekra, veshjet e papërshtatshme, muzika e huaj borgjeze dhe dekadente etj. Si përkthyes me grupet turistike gjatë sezonit të verës atë vit dhe më vonë, shihja me çudi se sapo zbritnin nga avioni në Rinas gjithë qejf, turistët meshkuj i çonin te berberanat që ishte çelur apostofat në hyrje të aeroportit, për t’i qethur dhe për t’u rruar mjekrat. Një situatë “për të qeshur dhe për të qarë”! Disa nuk pranonin dhe ktheheshim mbrapsht. Të tjerë shihnin portretet e Marksit dhe Engelsit varur në muret dhe na pyesnin me ironi: “Po këtyre të dyve, a do t’ua ruanit mjekrën po të vinin turistë? Ah, veç ta dinin se çdo të hiqnin nga ju”!

Dukej qartë se nuk mjaftonte vetëm revolucioni në Shqipëri, por ne donim që dhe bota të bëhej si ne, që të mos infektonte rininë tonë të “shëndoshë si molla”.

Në vitin 1979, nuk e di si “zbarkuan” në Tiranë zëvendësministri i Ekonomisë i Kosta Rikës me një nga bashkëpunëtorët e tij, të dy të rinj në moshë. Për ta u përgatit një program special njëjavor me vizita, koncerte, takime me drejtuesit tanë të tregtisë së jashtme, ligjërata mbi parimet dhe epërsitë e ekonomisë socialiste, kursimin e rreptë, jetëgjatësinë e mallrave etj. Në fund të vizitës, përpara largimit, me shumë mirësjellje na përgëzuan për ndjenjën tonë të sakrificës dhe vetëmohimit, një “heroizëm”  i vërtet sipas tyre. Por, me shumë lezet na thanë se në Kosta Rika dhe në Amerikën nuk “kanë këllqe” të bëjnë diçka të ngjashme. Në shoqërinë e konsumit, ne ndërrojmë shpesh kostumet, shtëpitë, veturat! Juve bravo ju qoftë»!

Në vitin 1982, pas një investimi prej 250 mijë Dollarë në impiantin e Ujit të Ftohtë në Vlorë, u vunë në dispozicion të tregtisë së jashtme për shitje burimet e tij me ujë të mrekullueshëm. Mirëpo, shitja e ujit kishte shumë vështirësi, sidomos në përcaktimin e çmimit. Na mungonte emri, prania dhe marka në treg, çka kërkonte kohën e vet dhe marketingun përkatës.

Megjithatë, falë juristëve dhe ekspertëve tanë tejet kompetentë, u arrit të nënshkruhej një kontratë shitjeje në Maltë. Pavarësisht nga çmimi, sërish shitja e ujit atje ai dilte me leverdishmëri. Mirëpo, në atë kohë, vigjilenca e partisë e bëri të vetën. Nuk e di se si dikush në Byronë Politike përhapi lajmin se uji i Vlorës do të shuante etjen e ushtarëve të një baze amerikane në Maltë, çka ra si bombë. Pavarësisht nga argumentet se «”ujin po ia shesim me kontratë Maltës dhe se ku e çon ajo, nuk na intereson”, aq u desh dhe tregtia e jashtme u qortua dhe më shumë për mungesë vigjilence revolucionare. Kontrata, si mundësia e fundit për shitjen e tij u prish dhe uji në Vlorë vazhdoi të derdhej kot, boll që të mos e pinin ushtarët amerikanë! Veç disa eksperteve që u ndëshkuan, nga ky rast e pësoi më shumë ekonomia jonë e cila humbi një burim të mirë të ardhurash!

Në vijim, si ilustrim për shtrirjen e propagandës së asaj kohe te çdo person, po përmend rastin e kopshtarit të apasionuar të MPJ-së në vitet 1980, të ndjerin Isa të cilin në vitin 1983 e dërguan në Romë për të mbjellë lule dhe pemë në kopshtin dhe mjediset e Ambasadës sonë. Sepse, një lulishtar Italian do të kushtonte shumë më tepër. Veç kësaj, ky ishte edhe stimul për njerëz si ai që gjithë jetën kishin punuar me përkushtim. Tregojnë se Ministri i atëhershëm i Jashtëm, me bon sens e kishte porositur që kur të kthehej të tregohej i rezervuar kur të fliste mbi Romën. I shkreti lulishtar, njeri i ndershëm e pa shkollë, ishte hutuar nga ç’kishte parë në Romë, krejt ndryshe nga sa propagandohej nga shteti. Gjithsesi, kur u kthye në Tiranë dhe miqtë me shokët e pyesnin pa të keq se si i ishte dukur Roma, ai kujtohej për porosinë dhe thoshte: “Çka, jo keq!” Pastaj e pyesnin për nivelin e jetesës atje, dhe ai përgjigjej: “Beter keq”! Pyetjes: “ A kishte lypsa?” – “sa të duash “ përgjigjej ai. “Po situata si është atje”? “Plot greva dhe demonstrata”. Me një fjalë vetëm asgjë të mirë nga Roma. Në fund, një nga miqtë e tij i zhgënjyer, i bëri me ironi pyetjen e fundit: “Mor, po, lule, a kishte lule Roma”? Dhe lulishtari i ngratë, i vënë në siklet dhe që “të ishe brenda” i dha përgjigjen “lapidar”: “Çfarë thua more, po qe se do kishte lule, atëherë pse do më çonin mua në Romë”!

Pas vitit 1985, na u imponua nga lart që me çdo delegacion të huaj të kërkonim përjashtimin e taksave mbi mallrave tona të eksportit; meqenëse ne nuk zbatonim asnjë taksë ndaj tyre. Kjo ka qenë një torturë e vërtetë disavjeçare për ekspertët në tregtinë e jashtme, ndonëse të huajt, me shumë mirësjellje mundoheshin të na bindnin se kjo ishte e pamundur, se ne duhet të aplikonim taksa ndaj mallrave të tyre dhe kështu zgjidhej problemi. Por, ne u tregonim Kushtetutën që na cilësonte si vendi i vetëm në botë pa taksa. “Por, dhe gjithë ne të tjerët”, gjegjeshin ata, “e kemi në Kushtetutën tonë dhe atë evropiane për aplikimin e tyre”! Më në fund, ata sugjeruan të vetmen mundësi: lëshimin nga ana jonë të një vërtetimi zyrtar se “jemi vend në zhvillim”. Mirëpo, a mund të pranonim ne këtë sugjerim, kur Kushtetuta e vitit 1976 e përcaktonte Shqipërinë si “vendi i vetëm socialist në botë”. Pastaj, “vend në zhvillim” i takonte “botës së tretë” sipas Ma Ce Dunit, të cilën regjimi ynë e kishte demaskuar dhjetë vjet më parë! Pas shumë debateve me ekspertë të disa dikastereve tona, bashkëbiseduesi i huaj e humbi durimin, u çua nga vendi duke thënë me shqetësim: “Por, aman … 32 herë ua thamë se e vetmja mënyrë është kjo … dhe me ndjesë kërkoi një gotë ujë për të pirë ilaçin e zemrës”! Ky incident bëri që më në fund të hiqej dorë nga kjo kërkesë absurde, e cila zinte 80 për qind të bisedimeve tona me të huajt në një kohë kur kishim aq shumë nevojë për eksportet tona dhe “uri” për importet e huaja më të ngutshme.

Në fillim të nëntorit 1992, isha midis 16 bashkatdhetarëve, pedagogë dhe profesorë të Fakultetit Ekonomik, ekspertë dhe të tjerë që u ftuam nga Universiteti i tij në shtetin Nebraska, në ShBA, për një trajnim njëmujor për menaxhim biznesi. Ishte hera e parë për ne të gjithë që kapërcenim Atlantikun dhe shihnim tokën e premtuar. Mes shumë kujtimeve të bukura, është ekskursioni me autobus për në Kansas Siti, ku na ribashkoi të gjithëve mrekullisht kënga. Gjatë udhëtimit të gjatë, shoferi dhe shoqëruesit tanë u mahnitën nga masiviteti dhe sa bukur na ecte kënga me tingujt e saj plot ngjyrë dhe gëzim. Nuk duruan dhe na pyetën të mahnitur nëse ne ishim grup artistik. Por, u habitën më shumë kur dëgjuan se me shumicën po takoheshim aty për herë të parë; se nuk kishim bërë fare prova, por këngën e kishim trashëgim nga familjet, shkolla dhe shoqëria jonë!

Më 30 Korrik 1993 u arrestua ish-lideri i PS-së, Fatos Nano. Bashkë me avokatin e mirënjohur Përparim Sanxhaku kemi qenë për të mbrojtur çështjen e tij në disa forume ndërkombëtare prestigjioze dhe sidomos në Komitetin e të Drejtave të Njeriut të Parlamentarëve të Unionit Ndërparlamentar Botëror (IPU) në Kopenhagë, Stamboll, Bukuresht dhe gjetkë. Katër herë në vit, ai Komitet shqyrtonte gjendjen e të burgosurit Nano mbi bazën e të dhënave që depozitoheshin atje nga avokati ynë dhe pala tjetër. Kur dëgjuan përkthimin e akuzës, ata mbetën të habitur. U thashë se ndoshta ndonjë term i përkthyer nuk ishte i saktë juridikisht, porse përkthimi i akuzës është “fjalë për fjalë”. “Jo, jo, thanë ata” – përkthimi është në rregull, problemi është te formulimi i akuzës i padëgjuar ndonjëherë. Ja, shiheni dhe vetë: ‘Përvetësim i pasurisë shtetërore, në proporcione të mëdha, nëpërmjet shpërdorimit të postit, në bashkëpunim dhe në favor të një pale të tretë’”. Kur, në fakt, dhe sipas akuzës, i dënuari nuk kishte përfituar asnjë cent! Në një mbledhje tjetër të atij Komisioni, në vitin 1996, një qipriot, anëtar i tij na tha gjatë një pauze në konfidencë se ndonëse i djathtë ai donte që në zgjedhjet e 26 majit 1996 të fitonte PS-ja, se vetëm ashtu Nano mund të fitonte lirinë!

Në 25 mars 1997, i ndjeri Bashkim Fino bëri udhëtimin e parë si kryeministër i Qeverisë së Bashkimit Kombëtar në Romë dhe në Vatikan, ku na bekoi dhe vetë Papa Gjon Pali II. Aty takoi kryeministrin Prodi dhe anëtarë të kabinetit të tij me mesazhe mbështetje. Më 25 mars, në mesditë, Fino mbajti fjalimin në sallën historike te Pallati i Konservatorëve, aty ku 40 vjet më parë u nënshkrua Traktati mbi themelimin e BE-së, në prani të ministrave të jashtëm të BE-së që ishin në Romë për të përkujtuar atë përvjetor domethënës. Mirëpo, kriza ne Shqipëri ato ditë ua prishi keq festën. Zymtësia sundonte dhe shihej kudo te të gjithë që vinin drejt Finos për t’i shprehur dhimbjen dhe solidaritetin e tyre. Natyrisht dhe me tonet e duhura të autokritike, sepse edhe BE-ja kishte pjesën e vet jo të vogël të fajit për atë krizë të paparë bashkë me ShBA-në. Në atë kohë shpresonim që ato të vinin mend nga 1997, por mesa po duket kjo nuk ka ndodhur.

Ndërsa, në fillim të muajit maj 1997, isha përkthyes. Kryeministrin Fino e shoqërova në vizitën e tij zyrtare në Uashington, i shoqëruar nga disa ministra. Patëm bisedime në FMN, Bankën Botërore dhe me zëvendëssekretarët e Shtetit. Në përfundim të takimit plenar me delegacionet me Sekretaren e Shtetit, të ndjerën Madeleine Albright, kjo e fundit, me mbresat më të mira nga kryeministri 34-vjeçar, e ftoi vetëm Finon në zyrën e punës. Në pak minuta, aty i shprehu mbështetjen e saj të fortë politike dhe personale, duke i thënë se telefonin ajo do ta kishte hapur 24/24. Duke qenë në atë takim dhe deri në tetor 1997 pranë Finos, isha dëshmitar se Albright dhe Amerika e mbajti fjalën.

Në mars-tetor 1997, përktheva me të dërguarin special të OSBE-së për krizën tonë, ish-kancelarin austriak Franz Vranitzky, në 10 konferenca shtypi dhe takimet me Finon, liderët e partive politike, me mbresat më të mira nga ai personalitet i shquar politik. Mes shumë episodeve, në një konferencë shtypi, i pyetur për politikanët shqiptarë, Vranitzky dha përgjigjen emblematike se “këtu te ju nuk merret vesh kush është engjëlli dhe kush djalli”!

Në pranverë të vitit 2000, shoqëroja tashmë si diplomat në misionin tonë pranë BE-së kryetarin e PS-së, Fatos Nano, në një takim jozyrtar në Bruksel me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Javier Solana. Nano filloi t’i bënte leksione Solanës mbi modelet që duhet të ndjekë BE-ja në Ballkan, duke cituar Beneluksin. Këtë bënte zakonisht Nano dhe me drejtues të tjerë të lartë në Bruksel dhe gjetkë, athua se kishin mbaruar telashet brenda dhe do zgjidhte hallet e botës. Mbasi e dëgjoi me durim, me mirësjelljen e tij tipike, Solana pak a shumë i tha Nanos: “Drejt, drejt Fatos, je shumë i mençur; veç shpejtoni, bëni reformat që të hyni sa më shpejt në BE dhe atje ta thoni fjalën tuaj që t’iu dëgjojmë”. Ishte ky një mësim i mirë për dhe për ndonjë lider tonin që dhe tani rreket t’i japi mend dhe BE-së, sipas aforizmit “hajt baba të të tregoj arat”! Vazhdohet të abuzohet me kurtuazinë diplomatike të liderëve të huaj; recidivë e keqe e monizmit kur na dukej vetja “fanar i kuq” i socializmit!

 

 

Exit mobile version