Interi ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0 ndaj Venezias në kuadër të javës së 11-të në elitën e futbollit italian.
Ishin vendasit ata të cilët ishin më të mirë në fillimin e ndeshjes duke rrezikuar në dy raste seriozisht portën e mysafirëve.
Marcus Thuram në minutën e 33-të dhe Henrikh Mkhitaryan në minutën e 35-të, patën secili nga një rast ideal për gol, por që nuk u treguan të saktë para portës.
Venezia rastin e parë serioz në këtë ndeshje e pati në minutën e 41-të me Gaetano Oristanio i cili bëri një gjuajtje e cila u ndal me shumë vështirësi nga Yann Sommer.
‘Nerazzurrët’ menduan se gjetën golin e epërsisë kur në minutën e 51-të Henrikh Mkhitaryan shënoi për 1-0 pas asistimit të Dimarcos, por ai u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje.
Të besuarit e Simone Inzaghit nuk u dorëzuan dhe gjetën golin e fitores në minutën e 65-të përmes Lautaro Martinez i cili me kokë shënoi për 1-0 pas krosimit të bukur nga ana e Dimarcos.
Në minutën e 97-të Venezia arriti të barazojë shifrat në 1-1, por pas rishikimit në VAR u pa se lojtari kishte luajtur me dorë me ç’rast gjyqtarja e takimit e anuloi golin.
Quanto ci gasi Lauti 😱#ForzaInter #InterVenezia pic.twitter.com/YMlIIdr1so
— Inter ⭐⭐ (@Inter) November 3, 2024
Me këtë fitore Interi shkon në kuotën e 24 pikëve dhe mban pozitën e dytë në tabelë mbrapa liderit Napoli që ka 25 sosh.
Interi të martën do të pres në ‘Giuseppe Meazza’ Arsenalin në kuadër të Ligës së Kampionëve, para se të jetë nikoqir i Napolit në Serie A në vikend./Telegrafi/