Interi thuhet se e ka hedhur në treg danezin Christian Eriksen vetëm tetë muaj pas transferimit të tij nga Tottenham Hotspur.
Sipas mediumit Calciomercato.com, ylli danez nuk u kërkua kurrë në radhë të parë nga Antonio Conte dhe nuk është pjesë e planeve të tij për të ardhmen.
Kjo ishte bërë e dukshme, pasi Eriksen ishte lënë vazhdimisht në bankinë dhe iu dha vetëm roli si zëvendësues gjatë muajve të fundit të sezonit.
Eriksen kushtoi 27.5 milionë për t’u nënshkruar nga Spurs në afatin kalimtar të janarit, kështu që nëse ai do të largohet këtë verë, duhet të jetë me një fitim për Nerazzurrët.
Ai mund të përdoret si pjesë e këmbimit për lojtarët e tjerë më të përshtatshëm për sistemin e Contes, ndërsa në rast shitje çmimi i kërkuar thuhet të jetë 50 milionë euro.
28-vjeçari ka 31 gola në 95 paraqitje për Danimarkën dhe është nën kontratë me Interin deri në qershor të vitit 2024.
Ai kaloi shtatë vjet te Tottenham dhe para kësaj erdhi përmes akademisë prestigjioze të Ajaxit. /Telegrafi/