Telegrafi

Interi vazhdon me fitore, triumfon në udhëtim te Spezia

Interi ka vazhduar me fitore, pasi ka triumfuar në udhëtim te Spezia me rezultat 1-3.

Neroazzurët ishin më të mirë gjatë gjithë takimit dhe me plot meritë morën tri pikët nga kjo përballje.

Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 31-të, kur Marcelo Brozovic me një goditje të fuqishme realizoi një gol të bukur për 0-1.

Me epërsinë minimale të Interit u mbyllën 45 minutat e para në këtë sfidë.

Edhe në pjesën e dytë kampionët në fuqi të Italisë ishin më dominues në ndeshje ku shënuan edhe një gol.

Kroati Ivan Perisic harkoi bukur në zonë, derisa Lautaro Martinez e devijoi topin për ta dërguar në rrjetë në minutën e 73-të dhe për ta shënuar golin e sigurisë për Interin.

Vendasit shënuan një gol fantastik me anë të Maggiores në minutën e 88-të për ta ngushtuar epërsinë në 1-2.

Por krejt në fund të ndeshjes, Alexis Sanchez shënoi pas asistimit nga Lautaro Martinez për 1-3.

Pas këtyre tri pikëve, Interi rikthehet në krye të Serie A me 69 pikë të grumbulluara, një më shumë se Milani.

Ndeshjen e ardhshme Interi do ta ketë një përballje shumë të vështirë, pasi pret Romën në San Siro, derisa Spezia takohet me Torinon. /Telegrafi/