Sipas raportimeve nga mediat italiane, Interi po përgatitet t’i ofrojë një ofertë rinovimi sulmuesit dhe kapitenit Lautaro Martinez, në një marrëveshje që ka të ngjarë ta bëjë argjentinasin lojtarin më të paguar në Serie A.
Martinez aktualisht ka kontratë me Nerazzurrët deri në verën e vitit 2026, por klubi do të dëshironte ta zgjaste bashkëpunimin me golashënuesin e tyre më të mirë duke i ofruar përmirësim të pagës, kështu duke e shpërblyer atë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm gjatë sezoneve të fundit.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Interi do të ishte i gatshëm t’i ofronte Martinezit një pagë prej 7 milionë euro në sezon, që do të thoshe se ai do të fitonte më shumë se çdo lojtar tjetër aktualisht në ligë.
Shifra prej 7 milionë euro do të shkonte gjithashtu përtej kufirit të brendshëm të pagave të Interit, i cili jozyrtarisht thotë që lojtarët e ekipit të parë nuk duhet të paguhen më shumë se 6 milionë euro në vit.
Raporti shton se bisedimet zyrtare midis Interit dhe agjentit të Martinez, Alejandro Camano, mund të fillojnë gjatë pushimit të ardhshëm me kombëtare, që i bie në mes të nëntorit.
26-vjeçari e ka nisur fuqishëm edicionin e ri të garave, duke shënuar dhjetë gola në tetë ndeshjet e para në elitën e futbollit italian./Telegrafi/