Christian Eriksen dhe agjenti i tij do të takohen sot (e enjte) me drejtorët e Interit për të ndërprerë kontratën e mesfushorit me Nerazzurrët.
Eriksen është rikthyer në Milano nga Danimarka, por siç pritej, mjekët nuk i dhanë dritën jeshile për të vazhduar lojën në Serie A.
Danezit nuk i lejohet të stërvitet apo të luajë në Itali me një pajisje të implantuar kardiake pasi çdo kontakt ose goditje mund ta thyejë atë pajisje.
Mesfushori ka qenë duke u stërvitur me ish-klubin e tij Odense gjatë javëve të fundit dhe është kthyer në Milano për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, por nuk shpresonte të merrte dritën jeshile nga mjekët.
Ish-mesfushori i Interit, Khalilou Fadiga, u diagnostikua me sëmundje të zemrës pas mbërritjes në Inter në vitin 2002 dhe nuk luajti kurrë me fanellën e Nerazzurrëve, por vazhdoi karrierën e tij në Ligën Premier.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Eriksen mund të ndërpresë sot kontratën me Interin dhe të vazhdojë karrierën e tij të lojës në vendin e tij të lindjes.
Liga Premier dhe Eredivisie janë gjithashtu opsione të mundshme për 29-vjeçarin danez.
Mbetet për t’u parë nëse do të mjaftojë një takim apo nëse agjenti i lojtarit dhe Interi kanë nevojë për një takim tjetër për të rregulluar të gjitha detajet dhe për të finalizuar zgjidhjen e kontratës së Eriksen. /Telegrafi/