Telegrafi

Interi po monitoron dy qendërmbrojtës në Bundesliga, njëri nga ta do të transferohet në verë

Interi është në rrugë të mirë për ta fituar titullin kampion në Serie A, pasi tanimë ka një diferencë me Milanin prej 16 pikësh dhe kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Nerazzurët kanë filluar qysh tani të mendojnë për sezonin e ri, ku tanimë kanë siguruar shërbimet e sulmuesit iranian Mehdi Taremi dhe mesfushorit polak Piotr Zielinski me parametra zero.

Simone Inzaghi kërkon një qendërmbrojtës fizik me potencial zhvillimi për të kompletuar skuadrën e tij dhe për këtë arsye skautët e klubit po fokusohen te Bundesliga, me dy emra që kanë tërhequr vëmendjen e tyre në veçanti.

Sipas Tuttosport, synimet e Interit janë Jonathan Tah nga Bayer Leverkusen dhe Danilho Doekhi nga Union Berlin.

Tah, një mbrojtës gjerman i lindur në vitin 1996, ka qenë themelor në skemën e Leverkusenit të drejtuar nga Xabi Alonso.

Sidoqoftë, kontrata e tij skadon më 30 qershor 2025, që do të thotë se ai mund të jetë i disponueshëm për një shumë të arsyeshme në treg.

Nga ana tjetër, Doekhi, i lindur në Surinam, por me kombësi holandeze, gjithashtu përfaqëson një opsion interesant. Nën kontratë deri në të njëjtën datë me Tah, rinia dhe potenciali i tij e bëjnë atë një objektiv tërheqës për Interin.

Drejtuesit e klubit milanez tek këta dy lojtarë shohin mundësinë për të forcuar mbrojtjen pa bërë investime të mëdha financiare. Mundësia e nënshkrimit të Tah ose Doekhi para skadimit të kontratave të tyre në 2025 përfaqëson një strategji të zgjuar për Interin, i cili kërkon të optimizojë burimet e tij në tregun e transferimeve.

Pa dyshim, ardhja e njërit prej këtyre mbrojtësve do të ishte një hap tjetër në konsolidimin e skuadrës së drejtuar nga Inzaghi, e cila aspiron të garojë në nivelet më të larta si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. /Telegrafi/