Telegrafi

Interi mposht Napolin, Milani humbet

Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ishte i përjashtuar nga stoli drejtues për këtë ndeshje, por megjithatë kampionët e Serie A bënë një fillim të përkryer. Me të filluar ndeshja Samuel Eto’o shënoi golin e parë (3’), para se shumë shpejt edhe Diego Milito të shënojë për të dyfishuar epërsinë (5’).

Vendasit shënuan edhe një gol të tretë me anë të mbrojtësit Lucio, pas gjysmë ore lojë, ndërsa rezultati u vulos që në pjesë të parë, kur Lavezzi shënoi për të ngushtuar në 3-1 (37’).

Me tre pikët e reja, Interi kalon mbi Sampdorian për të marrë kreun në tabelën e Serie A, pasi kjo e fundit pësoi humbjen e parë të sezonit në fushë të Fiorentinas, 2-0, pas katër fitoresh radhazi. Juventusi nesër (e enjte) mund të marrë kreun me një fitore ndaj Genoas.

Fillimi i paqëndrueshëm i Milanit vazhdon, pasi rosonerët humbën me rezultat minimal 1-0 në fushë të Udineses, me golin e shënuar nga Antonio Di Natale në pjesën e parë të takimit (22’).