Telegrafi

Interi kthen kreun

Të dyja skuadrat kishin nevojë për pikë maksimale, duke qenë se zikaltrit janë në garë për titull, ndërsa bardhezinjtë luftojnë për pozitën e katërt që çon në Ligën e Kampionëve.

Juventusi e filloi më mirë takimin duke pasur iniciativën në minutat e para të ndeshjes, ndërkohë që Interi dalëngadalë baraspeshoi lojën.

Në minutën e 37-të, Momo Sissoko ia vështirësoi punët ekipit të tij, pasi që u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë, ndërsa Zaccheroni ‘sakrifikoi’ Del Pieron për të inkuadruar Christian Poulsenin në mesfushë (41’).

Në pjesën e dytë, Juventusi arriti të mbahet me një lojtar më pak, përkundër dominimit të Interit në fushë. Vlen të përmendet një rast i mirë i Samuel Eto’o dhe dy raste të Diego Militos, të cilët nuk u treguan konkretë.

Qëndrimi i mysafirëve zgjati deri në minutën e 75-të, kur Douglas Maicon me një goditje të bukur mposhti portierin Buffon, për t’i dhënë avantazh kampionit në fuqi.

Dhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit, Mario Balotelli goditi transversalen pas një gjuajtje të lirë, ndërsa nga ana tjetër goditjen e Diegos e mbrojti portieri Cesar (88’).

Në minutat shtesë të takimit (90’+2), pas një kombinimi ndërmjet Militos e Balotellit, topi arriti te kamerunasi Eto’o, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar prej 2-0.

Pas kësaj fitoreje, Interi rikthen kreun me dy pikë më shumë se Roma, që të dielën zhvillon derbin e kryeqytetit kundër Lazios.

Ndërkohë, nëse Palermo e Sampdoria shënojnë fitore në ndeshjet e tyre respektive, atëherë Zonja e Vjetër mund të përshëndetet me Ligën e Kampionëve, duke qenë se kanë mbetur edhe katër xhiro pa u zhvilluar, kurse Juve do të mbetej gjashtë pikë prapa pozitës së katërt./Telegrafi/