Site icon Telegrafi

Interi kthehet tek fitoret në Serie A – ‘shkatërron’ Hellas Veronën në udhëtim

Interi ka shënuar fitore me rezultat të thellë 5-0 në udhëtim ndaj Hellas Veronës në kuadër të javës së 12-të në elitën e futbollit italian.

‘Nerazzurrët’ në fakt mbyllën çështjen e fituesit që në 45 minutat e para duke shënuar që të gjithë golat.

Joaquin Correa (17’) u përkujdes që t’i dhuronte epërsinë Interit duke realizuar për rezultatin 1-0 pas asistimit të Marcus Thuram.

Në golin e dytë u ndërruan rolet dhe kësaj radhe Marcus Thuram (22’) ballë për ballë portierit realizoi për 2-0 pas asistimit të Correas.

Reprezentuesi francez u gjend sërish në një situatë të njëjtë përballë portierit në minutën e 25-të, duke shënuar golin e tij të dytë dhe për rezultatin 3-0 pas asistimit të Alessandro Bastonit.

Pak minuta më vonë, më saktësisht në minutën e 31-të, mesfushori shqiptar Kristjan Asllani bën një asistim të bukur në drejtim të Stefan De Vrij i cili shënon për rezultatin 4-0.

Për rezultatin përfundimtar të takimit u përkujdes Yann Bisseck i cili në minutën e 41-të realizoi një gol shumë të bukur për shifrat 5-0.

Pas javës së 12-të Interi shkon në kuotën e 28 pikëve, dy më shumë se Napoli në vendin e dytë që ka 26 sosh, por një ndeshje më pak të luajtur./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

 

Exit mobile version