Telegrafi

Interi konsideron të ardhmen e Eriksenit

Mesfushori danez i Interit, Christian Eriksen do të kthehet në Milano në javën e dytë të korrikut për t’iu nënshtruar testeve të reja mjekësore.

29-vjeçari pësoi një arrest kardiak gjatë ndeshjes së parë të Danimarkës në Euro 2020 kundër Finlandës.

Atij iu dha reanimacion kardiopulmonar urgjent në fushë përpara se të dërgohej në spital, ku disa ditë pas incidentit, ai iu nënshtrua një operacioni për të implantuar një defibrilator të zemrës.

Sidoqoftë, karriera e tij në Serie A është në dyshim pasi është e ndaluar të luash me një defibrilator të implantuar të zemrës, sipas protokollit të Komitetit Kardiologjik Organizativ për Sport dhe Fitnes, i cili u përditësua në vitin 2017.

Çdo sport kontakti është i ndaluar në Itali me një pajisje të tillë të vendosur, ndërsa është e mundur të vazhdojë të luajë në ligat e tjera.

Interi ka nënshkruar me Hakan Calhanoglu si një lojtar i lirë dhe ish-ylli i Milanit mund të zëvendësojë Eriksenin, e ardhmja e të cilit do të konsiderohet.

“Ka respekt të madh për njeriun përpara futbollistit. Shpresojmë që Eriksen të rikuperojë shëndetin dhe efikasitetin e tij të plotë”.

“Pas kësaj, ne do të vlerësojmë aspektet sportive që në këtë kohë janë padyshim më pak të rëndësishme”, ka thënë drejtori i Interit, Beppe Marotta.

Sipas Calciomercato.com, Eriksen do të kthehet në Milano në javën e dytë të korrikut.

Është e qartë se ai nuk do të jetë në gjendje të stërvitet, por ai do të takojë shokët e tij të skuadrës dhe do të flasë me trajnerin e ri Simone Inzaghi para se t’i nënshtrohet ekzaminimeve të reja mjekësore, duke shpresuar që defibrilator i zemrës mund të hiqet. /Telegrafi/