Telegrafi

Interi konfirmon humbje prej 245.6 milionë euro për sezonin 2020/2021

Aksionarët e Interit kanë miratuar rezultatet për vitin financiar që përfundon më 30 qershor 2021 me një humbje prej 245.6 milionë euro, me pothuajse gjysmën e saj për shkak të pandemisë COVID.

Pandemia e shkaktuar nga coronavirusi ka prekur të gjitha klubet, teksa Interi ka konfirmuar tashmë humbje të mëdha për vitin e fundit financiar.

Humbjet e Nerazzurrëve kanë shkuar në plot 245.6 milionë euro.

“Mbledhja e aksionarëve të FC Inter, e mbajtur përmes videokonferencës, ka miratuar rezultatet financiare 2020/21, të cilat u ndikuan ndjeshëm për të gjithë kohëzgjatjen e sezonit nga efektet e pandemisë Covid-19”.

“Viti ka pasur të ardhura të konsoliduara prej 364.7 milionë euro dhe humbje prej 245.6 milionë euro”.

“Ndikimi i Covid-19 ishte afërsisht 110 milionë euro: rreth 70 milionë euro për shkak të mungesës së plotë të të ardhurave në ditët e ndeshjeve pas mbylljes së stadiumeve dhe rreth 40 milionë euro për shkak të reduktimit të kontratave të sponsorizimit. 30 milionë euro të tjera ishin për shkak të ndërprerjes së kontratave sportive”.

“Pas përfundimit të mandatit të tyre përkatës, Bordi i Drejtorëve dhe Bordi i Auditorëve të FC Internazionale Milano SpA u riemëruan për mandatin trevjeçar 2021-2024”, thuhet në deklaratën zyrtare të Interit. /Telegrafi/