Telegrafi

Interi emëron dy drejtor të rinj në bord

Interi njoftoi emërimin e Carlo Marchetti dhe Amedeo Carassai në bordin e tyre të drejtorëve pas huazimit prej 275 milionë euro nga kompania Oaktree Capital.

Operacioni i financimit kishte përfunduar majin e kaluar dhe sot, Interi emëroi dy anëtarë të rinj të bordit gjatë mbledhjes së aksionarëve të klubit.

Është vet klubi kampion i Serie A që njoftoi për ndryshimet e fundit në bordin drejtues.

“Takimi i Aksionarëve i FC Internazionale Milano SpA, i cili u mbajt sot përmes videokonferencës, miratoi emërimet e Carlo Marchetti dhe Amedeo Carassai si Drejtorë të Pavarur në Bordin e Drejtorëve të Kompanisë”.

“Mbledhja e Aksionarëve gjithashtu miratoi, në një seancë të jashtëzakonshme, disa ndryshime në Rregulloren e Shoqërisë, kryesisht për të ndryshuar numrin e anëtarëve dhe kompetencat e Bordit të Drejtorëve, siç kërkohet për të vazhduar me emërimin e dy Drejtorëve të rinj të pavarur dhe në zvogëlimin e të drejtave të caktuara të rezervuara për aksionarët e pakicës së kualifikuar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/