Site icon Telegrafi

Interi dhe Atletico Madridi kishin avancuar në bisedime për Cavanin, por në garë është futur edhe Napoli

Interi dhe Atletico Madridi, ishin klubet që kishin avancuar në bisedime për Edinson Cavanin, por së fundmi në garë është futur edhe Napoli  që po i ofron një kontratë intriguese sulmuesit uruguaian.

Drejtori sportiv i Paris Saint-Germain, Leonardo, e ka konfirmuar tashmë që Cavani do të largohet dhe do të jetë lojtar i lirë këtë verë, kështu që mund të zgjedh vetë destinacionin e tij të radhës.

Atletico Madrid besohet se ishte favoritët përpara Interit, por tani ka dalë një opsion i tretë dhe më intrigues.

Sipas ueb faqes franceze “Le10Sport.com”, Napoli ka qenë në kontakt me “El Matador”, duke i kërkuar një rikthim të bujshëm në “San Paolo”.

33-vjeçari famën e ka fituar në Napoli, ku ka luajtur në vitet 2011 – 2013, para se të transferohej te PSG për 64 milionë euro.

Cavani kishte shënuar 104 gola në 138 ndeshje zyrtare për Napolin, duke lënë gjurmë në këtë klub.

Agjenti i lojtarit, Walter Guglielmone ka folur për interesimin e Napolit, duke thënë se: ” do t’i dëgjojnë dhe vlerësojnë të gjitha opsionet dhe ofertat”. /Telegrafi/

Exit mobile version