Telegrafi

Interesim i shtuar për librin në Panairin e 20-të në Prishtinë – prezantohen 1500 tituj të rinj (Video)

Në Prishtinë është duke u mbajtur Panairi i librit “Prishtina 2018”, i cili ka filluar nga data 5 qershor dhe do të vazhdojë deri më 10 qershor.

Në panair po prezantohen rreth 1500 tituj të rinj dhe numri i vizitorëve deri më tani po duket të jetë i kënaqshëm.

Blerim Muhaxheri nga libraria ”Dukagjini”, thotë për Telegrafin, se në këtë panair ata ofrojnë zbritje të madhe dhe tituj të shumtë.

“Kemi zbritje nga 20 deri 50 për qind, dhe kemi tituj dhe zhanre të ndryshme. Si librari kemi mbi 200 tituj, por klientëve u ofrojmë një mundësi të mirë, që nëse librin nuk e gjejnë në panair, kemi zbritje në filialin tonë të sheshi në Prishtinë”, është shprehur Muhaxheri nga libraria ”Dukagjini”.

Besian Zeneli, koordinator i panairit “Prishtina 2018”, në një prononcim për Telegrafin shprehet i kënaqur me numrin e titujve të rinj, por edhe me numrin e vizitorëve.

“Janë 1500 tituj të rinj që promovohen për herë të parë në kuadër të këtij panairi, pastaj numri i shtëpive botuese që e kalon numrin 100, më i madhi që ka pas ndonjë panair në Prishtinë”, është shprehur i kënaqur  koordinatori Zeneli. /Telegrafi/