Telegrafi

Interesim i madh i qytetarëve për të blerë bileta për festivalin “Sunny Hill 2024”

Një ditë para nisjes së “Sunny Hill Festival 2024”, në shesh është hapur një kabinë ku fansat mund të marrin “check in early” (regjistrimi para kohe).

Kjo ka sjellë një valë të madhe interesimi nga të rinjtë, të cilët kanë pritur në radhë për të siguruar pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje të shumëpritur.

Nga imazhet e publikuara në rrjetet sociale, mund të shihet se të rinjtë kanë treguar një interes të jashtëzakonshëm, duke formuar radhë të gjata për të marrë biletën e tyre para kohe. Kjo iniciativë “Check In Early” u jep mundësinë fansave që të bëjnë “check in” para kohe, duke shmangur kështu pritjet e gjata në hyrje të festivalit.

Pritje të gjata për të bërë regjistrim të hershëm për festivalin “Sunny Hill 2024” (Foto: Shpend Lila/Facebook)

“Sunny Hill Festival 2024” pritet të jetë një ngjarje madhështore, ku do të performojnë disa prej emrave më të njohur të skenës vendore dhe ndërkombëtare. Ndër artistët që do të ngjiten në skenë janë Bebe Rexha, Stormzy, DJ Snake, BlackCofee dhe shumë të tjerë.

Lexo po ashtu Bëhet i ditur programi i artistëve për katër netët e festivalit “Sunny Hill”

Ky festival, që ka bërë emër për atmosferën e tij të jashtëzakonshme dhe përvojën unike që ofron, po tërheq gjithnjë e më shumë fansa çdo vit.

Kabina për marrjen e biletave para kohe është një ndër nismat e reja të organizatorëve për të përmirësuar përvojën e pjesëmarrësve, duke bërë që entuziazmi për festivalin të fillojë shumë përpara nisjes së tij. Fansat janë të kënaqur me këtë mundësi të re, që u lejon atyre të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre në një nga ngjarjet më të mëdha të vitit pa stresin e pritjeve të gjata në ditën e festivalit. /Telegrafi/