Telegrafi

Interesim i madh për t’u ushqyer në mensë – Qendra e Studentëve hap konkurs edhe për një mijë studentë shtesë

Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës (UP), ka shpallur konkurs të ri për pranimin e një mijë studentëve shtesë për ushqyerje në mensë.

Në njoftimin për media thuhet se konkursi i dytë për pranimin e studentëve për ushqim në mensë për vitin akademik 2022/2023, është shpallur si rezultat i kërkesës së madhe nga ana e studentëve.

Konkursi do të jetë i hapur prej datës 03.10.2022 deri më datën 05.10.2022.

“Studentët të cilët do të aplikojnë për ushqim në Qendrën e Studentëve, aplikimin mund ta bëjnë përmes sistemit Online, në adresat zyrtare të QS, web faqes qs.rks-gov.net dhe profilit zyrtar Facebook Qendra e Studentëve-Prishtinë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

“Qendra e Studentëve ka shpallur rezultatet e konkursit paraprak, mirëpo si rezultat i kërkesës se madhe nga ana e studentëve ka vendosur që këtë vit akademik të hap edhe një konkurs shtesë vetëm për ushqyerje në mensë. Në këtë konkurs shtesë do të pranohen rreth 1000 studentë për ushqyerje në mensë”.

Mënyra e përzgjedhjes së studentëve të cilët do të fitojnë të drejtën për ushqim, do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me konkurs.

Çmimi për ushqim do të jetë 15 euro në muaj. /Telegrafi/