Site icon Telegrafi

​Interesim i madh i pacientëve për kryerjen e analizës falas të tiroides në kryeqytet

Analiza e gjëndrës tiroide, e cila pacientëve u kushton rreth 15 euro, tash e një muaj po bëhet falas në Qendrën e Mjekësisë Familjare QMF VI në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Që nga java e parë e qershorit e deri më tash afro 130 pacientë kanë shprehur interesim për analizën e gjëndrës tiroide në këtë qendër.

Shefja e kësaj qendre mjekësore Hana Deshishku në një intervistë për KosovaPress tregon se interesimi i pacientëve për kryerjen e analizave është i madh. Ajo potencon se kjo analizë bëhet për të vërtetuar gjendjen shëndetësore dhe për të vendosur një diagnozë.

“Analizat hormonet e gjëndrës tiroide i kemi filluar nga fillimi i muajit qershor. Zakonisht në këtë qendër, përpos analizave hormonale që kemi filluar këtë muaj, kemi bërë edhe analiza të tjera bazike që nevojiten në kujdesin parësor shëndetësor. Në këtë muaj kemi filluar edhe me analizën e gjëndrës tiroide, e cila ka rritur cilësinë e punës dhe është një e mirë për pacientët. Janë shumë të interesuar ta bëjnë gjëndrën tiroide. Kuptohet, në analizë laboratorike në rend të parë bëhet për të vërtetuar një gjendje shëndetësore të pacientit. Analiza bëhet edhe për të vendosur një diagnozë, nuk do të thotë se bëhet një diagnozë e plotë, por neve na nevojitet një diagnozë e dyshimtë ose një diagnozë e përafërt që ne dyshojmë…Te gjëndra tiroide, e kanë mirëpritur qytetarët. Duke ditur se shumë i shpeshtë ky problem aktualisht në vendin tonë, është shumë i shpeshtë”, tha Deshishku.

Lodhja, plogështia, përgjumja, shtimi dhe humbja e peshës, çrregullimi i metabolizmit janë ndër simptomat që i përshkruajnë pacientët për gjëndrën tiroide. Deshishku tregon se në QMF bëhet edhe analiza tjetër HbA1C-ja përmes së cilës përcillet gjendja e pacientëve përgjatë tremujorit për diabet.

“Në këtë mënyrë e kemi zvogëluar edhe referimin në kujdesin sekondar. Nuk e dërgojmë veç me një udhëzim ‘shko hulumtoje gjëndrën tiroide’, por ne e përgatitim pacientin me hormone dhe analiza vetëm përshkrimin e terapisë e bën endokrinologu. Ne kemi filluar në javën e parë të qershorit, deri tash kemi rreth 130 pacientë (që e kanë bërë analizën e gjëndrës tiroid). Përveç kësaj, bëhet edhe HbA1C-ja, një analizë për të përcjellë diabetin kryesisht tremujorin e diabetit…Zakonisht, pacientët na vijnë me një lodhje, me plogështi, me një përgjumje, me një shtim ose humbje peshe, pastaj kemi edhe çrregullime te metabolizmit te ata pacientë”, potencon Deshishku.

Për këtë risi në QMF-në e Bregut të Diellit, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku thotë se është bërë me qëllim që ta shpërndajë ngarkesën e shërbimeve nëpër qendra.

Në një prononcim për kp, Sadiku potencon se janë duke përpiluar një plan që analiza të ngjashme të kryhen edhe në qendrat e tjera familjare në kryeqytet.

“Për herë në kryeqytet kemi shtuar gamën e analizave laboratorike dhe për herë të parë kemi filluar që në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Breg të Diellit të bëhen analizat apo hormonet e gjëndrës tiroide. Ne prej vitit të kaluar, nga marsi kemi filluar që hormonet e gjëndrës tiroide që bëhen për sëmundjen e tiroides dhe HbA1C që bëhet për matjen e nivelit të sëmundjes së sheqerit për çdo tre muaj, ne kemi filluar ta bëjmë çdo ditë. Është bërë një herë në javë… Qytetarët e Bregut të Diellit këto analiza edhe HbA1C edhe hormonet e gjëndrës tiroide T3, T4 te TSH-ja, mund t’i bëjnë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Breg të Diellit… Jemi duke e bërë një plan që këtë gamë të analizave ta bëjmë edhe në qendrat tjera. Qëllimi ynë është edhe ta largojmë ngarkesën që ka një qendër dhe njëkohësisht të ofrojmë shërbime më afër qytetarëve”, thekson Sadiku. /kp/

 

Exit mobile version