Site icon Telegrafi

“Interesi i VV-së është që rasti Dehari të mos zbardhet”, Konjufca-Berishës: E ftoj prokurorin me ju intervistu nëse dini diçka më shumë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka kritikuar ashpër Qeverinë duke thënë se po ndërhynë direkt në rastin e Astrit Deharit.

Në seancën e Kuvendit të enjten, Berisha ka thënë se interesi politik i Lëvizjes Vetëvendosje është që ky rast të mos zbardhet.

Deputeti i PDK-së është penguar të flasë nga deputetët e VV-së të cilët në shenjë revolte kanë bërë zhurmë nga ulëset e institucionit të Kuvendit, raporton Telegrafi.

“Rasti Dehari dhe shumë raste të tjera janë përdorur nga Lëvizja Vetëvendosje për përfitime politike. Në rastin e Astrit Deharit po duket qe kemi ndërhyrje direkte të Qeverisë. Interesi i partisë në pushtet është që ky rast të mos zbardhet”, ka thënë Berisha.

“Ky rast nuk po zbardhet nga 2019-ta kur kjo parti ka ardhur në pushtet dhe e ka pushtetin absolut. Zonja ministre janë dy parakushte për ta zbardhur vetëvrasjen apo vrasjen e Astritit. I pari është zbardhja e rastit terrorist në Presidencë dhe objekte të Qeverisë. I dyti është zbardhja e rastit të vetëvrasjes së Arbnorit. Cilat ishin motivet e vetëvrasjes”.

Ndaj deklarimeve të deputetit ka reaguar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka kërkuar nga i njëjti që nëse di diçka më shumë për rastin Dehari t’i drejtohet Prokurorisë.

“Edhe ju e dini fort mirë që përpjekja me lidhë VV-në me atë sulm ka qenë një proces i montuar gjyqësor me prapavijë politike. Ka një vendim gjykate që i ka liruar ata persona prej kësaj akuze. Nëse dini më shumë e kisha ftuar prokurorin me ju intervistu, gjithçka që dini e që pretendoni për lidhjen e Vetëvendosjes me këtë akt terrorist, unë e ftoj prokurorin që të të intervistojë. Nëse di diçka”, ka thënë Konjufca. /Telegrafi/

Exit mobile version