Telegrafi

Interesi i Bonove arrin në 7.65%

Në ankand u emetuan Bono me vlerë 4.1 miliardë lekë dhe megjithëse 85% e shumës u financua nga Banka e Shqipërisë me ofertë jo konkurruese, interesi për pjesën e mbetur sërish njohu rritje.

Ndonëse oferta për financim të borxhit nuk mungon, interesat vazhdojnë të rriten. Kjo tendencë lidhet njëkohësisht me disa faktorë. Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në muajin prill duket se ka pasur një efekt në tregjet financiare.

Shpenzimet e larta të qeverisë shqiptare në gjysmën e parë të vitit kanë përkeqësuar treguesit fiskalë dhe kanë rritur deficitin buxhetor. Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe situata e tendosur e borxheve publike në disa vende të Eurozonës.

Bankat që financojnë borxhin publik të Shqipërisë janë në pjesën më të madhe banka me kapital të huaj. Përkeqësimi i mjedisit financiar në Europë bën që perceptimi i rrezikut të rritet edhe në vlerësimet për çmimin e financimit të borxhit publik në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka paralajmëruar shkurtim të shpenzimeve në gjysmën e dytë të vitit, me qëllim mbajtjen e deficitit pranë kufirit 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto./Telegrafi/