Site icon Telegrafi

Inteligjenca perëndimore: Anijet e marinës ruse janë parë në vendin ku ndodhi rrjedhja e gazit të Nord Stream

Zyrtarë evropianë të sigurisë kanë parë të hënë anije të marinës ruse pranë vendit ku pati rrjedhje gazi në Nord Stream, që sipas të gjitha gjasave u shkaktua nga shpërthimet nënujore, bënë të ditur për CNN dy zyrtarë të inteligjencës perëndimore.

Është e paqartë nëse anijet ruse kishin ndonjë lidhje me shpërthimet, shtuan këto burime për CNN, por sipas tyre gjithsesi bëhet fjalë për një prej faktorëve më të mëdhenj që hetuesit besojnë se duhet marrë parasysh – sabotimin në Nord Stream, transmeton Telegrafi.

“Javën e kaluar në po të njëjtin vend janë parë nëndetëset ruse”, tha një prej zyrtarëve të sigurisë që CNN ka biseduar me të.

Disa ditë pas shpërthimit, janë shkaktuar tri rrjedhje gazi në tubacionet e Nord Stream 1 dhe 2, kurse tre zyrtarë amerikanë thanë për CNN se SHBA-të, nuk kanë ndonjë shpjegim të detajuar se çfarë ka ndodhur saktësisht.

E një zyrtar i ushtrisë daneze, ka njoftuar se anijet ruse të marinës së Moskës janë parë duke bërë patrullime rutinore në këtë rajon.

“Po i shohim çdo javë. Aktivitetet ruse në Baltik janë rritur dukshëm viteve të fundit. Shpesh testojnë aftësinë tonë, nëse mund t’i shohim si në det ashtu dhe në ajër”, shtoi ky zyrtar danez. /Telegrafi/

 

Exit mobile version