Site icon Telegrafi

Inteligjenca Artificiale do të prekë deri në 40 për qind të vendeve të punës në mbarë botën, paralajmëron Fondi Monetar Ndërkombëtar

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka paralajmëruar se Inteligjenca Artificiale (Al) do të prekë deri në 40 për qind të vendeve të punës në mbarë botën, e sidomos ato në vendet me ekonomi më të zhvilluar.

Në një raport të ri, FMN ka theksuar se pasojat e Al për shoqërinë do të jenë të vështira për t’u parashikuar, por kjo teknologji ka të ngjarë të përkeqësojë pabarazinë e të ardhurave.

Kristalina Georgieva, drejtoreshë menaxhuese në FMN, tha se bota është “në prag të një revolucioni teknologjik që mund të rrisë produktivitetin dhe të ardhurat, por disa mund të humbasin mjetet e jetesës si rezultat”.

Megjithëse punëtorët e rinj mund të kenë më të lehtë të përshtaten me mundësitë që i sjell Inteligjenca Artificiale, punëtorët në moshë të shtyer mund të luftojnë me ato mundësi.

“Në shumicën e skenarëve, AI ka të ngjarë të përkeqësojë pabarazinë e përgjithshme, një prirje shqetësuese që politikanët duhet ta trajtojnë në mënyrë proaktive për të parandaluar tensionet sociale që i sjell teknologjia”, paralajmëroi Georgieva.

Thuhet se Mbretëria e Bashkuar është një prej vendeve më të përgatitura për ndryshimet që do i sjellë Al, bazuar në infrastrukturën dixhitale dhe edukimin e fuqisë së saj punëtore. /Telegrafi/

Exit mobile version