Në të ardhmen, aksidentet nga rrufeja mund të shmangen duke përdorur Inteligjencën Artificiale.
Kjo pasi që, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, studiuesit zviceranë në Ecole Polytechnique Federale de Lausanne kanë zhvilluar një eksperiment që mund të parashikojë se ku do të godasë rrufeja.
Duke përdorur të dhënat meteorologjike, shkencëtarët kanë zhvilluar një metodë relativisht të thjeshtë dhe me kosto efektive.
Ajo bazohet në një metodë të llogaritjes mbrapa dhe përdoret në thelb për kontrollimin e modeleve matematikore.
Për të pasur sukses, modeli është trajnuar për të zbuluar kushtet e motit që zakonisht shkaktojnë rrufe.
Aty, siç thuhet tutje, u përfshinë katër variabla: presioni i ajrit, temperatura e ajrit, lagështia relative dhe shpejtësia e erës.
Këto të dhëna janë matur në 12 stacione moti në Zvicër midis 2006 dhe 2017, si në mjediset urbane ashtu edhe në ato rurale.
Pas fazës së testimit, theksohet se Inteligjenca Artificiale bëri parashikime të sakta në 80 për qind të rasteve.
Kështu, studiuesit shpresojnë të jenë në gjendje të zgjerojnë metodat e mbrojtjes nga goditjet e rrufeve. /Telegrafi/