Site icon Telegrafi

Inteligjenca artificiale po i zëvendëson punëtorët? Banka e madhe aziatike njofton shkurtimin e 4 mijë pozitave

Banka më e madhe e Singaporit ka njoftuar se pret të shkurtojë 4,000 pozita gjatë tre viteve të ardhshme pasi Inteligjenca Artificiale (Al) po merr më shumë punë të kryera aktualisht nga njerëzit.

Bëhet e ditur se stafi i përhershëm nuk pritet të preket nga shkurtimet.

Shefi ekzekutiv i bankës, Piyush Gupta tha gjithashtu se pret të krijojë rreth 1,000 vende të reja pune të lidhura me AI.

Kjo e bën DBS një nga bankat e para të mëdha që ofron detaje se si AI do të ndikojë në operacionet e saj.

DBS aktualisht ka ndërmjet 8,000 dhe 9,000 punëtorë të përkohshëm dhe me kontratë, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Gjithashtu, banka punëson gjithsej rreth 41,000 njerëz.

Vitin e kaluar, Gupta tha se DBS kishte punuar në AI për më shumë se një dekadë.

“Ne sot vendosim mbi 800 modele të AI në 350 raste përdorimi dhe presim që ndikimi i matur ekonomik i tyre të kalojë 1 miliardë dollarë amerikanë në 2025”, tha Gupta.

Ndryshe, ai do të largohet nga DBS në fund të marsit dhe do të zëvendësohet nga zëvendësi i tij aktual Tan Su Shan.

Bëhet e ditur se përhapja e vazhdueshme e teknologjisë së AI ka vënë në qendër të vëmendjes përfitimet dhe rreziqet e saj, me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) duke thënë në vitin 2024 se ajo do të prekë gati 40% të të gjitha vendeve të punës në mbarë botën.

Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva tha se “në shumicën e skenarëve, AI ka të ngjarë të përkeqësojë pabarazinë e përgjithshme”. /Telegrafi/

Exit mobile version